“UÇK është mbi çdo parti”- Deputetja e LDK-së, Musliu: Sot duhet të jemi bashkë, heronjtë tanë janë në Hagë

Deputetja e LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Ganimete Musliu është sot pjesë e protestës së UÇK-së në Tiranë për lirimin e komandatëve në Hagë.

Musliu thekson se pa UÇK-në, sot shqiptarët nuk do ishin bashkë në shesh. Më tej shprehet se partitë politike duhen bërë bashkë përtej ndasive, pasi UÇK-ja është mbi ta.

Ganimete Musliu: Kur bëhet padrejtësi duhet të flasë populli. Populli shqiptar sot po flet për padrejtësinë që po u bëhet krerëve të Ushtrisë Çlirimtare në Hagë. Heronjtë tanë që janë në Hagë nuk kanë bërë krime. Krime, gjenocid kanë bërë Serbia. Ne i kemi mbrojtur tokat tona dhe sot çdo njeriu që e ndjen veten shqiptar dhe është falënderues për lirinë që e gëzojmë sot, duhet të jetë në sheshet ku protestohet, qoftë në Tiranë, qoftë në Hagë, qoftë në Prishtinë dhe kudo tjetër.

Madhështia e kësaj proteste se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është mbi çdo parti politike dhe mbi çdo interes personal dhe individual. Prandaj sot më lejoni ta falënderoj përzemërsisht kryeministrin shqiptar Edi Rama, i cili e ka mbështetur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që nga dita e parë kur është iniciuar Gjykata Speciale. Ai është kundër kësaj gjykate dhe kundër padrejtësie që po bëhen në Hagë. Nuk dua të komentoj vendime politike. Sot duhet të jemi bashkë, një. Pa UÇK nuk do pasur mundësi të mblidheshim në shesh, ta njohim njëri-tjetrin, ta përqafojmë njëri-tjetrin. Prandaj UÇK është mbi çdo parti.