Gajda: 265 ankesa për diskriminim gjatë vitit 2024, 39% lidhen me punësimin
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda paraqiti sot në Kuvend raportin e veprimtarisë vjetore për vitin 2024 të institucionit që ai drejton.
Sipas Gajdës, gjatë vitit 2024 pranë Drejtorisë të Pritjes së Ankesave janë regjistruar për t’u shqyrtuar 265 ankesa dhe bazuar në numrin total të tyre, rezulton se 66,4% e tyre i janë drejtuar Zyrës së KMD në Tiranë dhe janë regjistruar nga Drejtoria e Pritjes së Ankesave, ndërsa 33,6% e tyre kanë ardhur nga Zyrat Rajonale Korçë, Fier dhe Shkodër dhe janë regjistruar po nga kjo drejtori, në varësi të të cilës janë Zyrat Rajonale.
Gjithashtu, sipas Gajdës nga numri total i ankesave 265, 12% e tyre janë shtetas migrantë brenda vendit, ndërsa 0,8% janë shtetas të huaj.
“Çështjet e reja të regjistruara pranë KMD-së janë 268 çështje të regjistruara në vitin 2024. Çështjet e trajtuara janë gjithsej 380 çështje, nga këto, 268 çështje janë të regjistruara në vitin 2024 dhe 112 çështje janë të regjistruara nga viti 2023. Numri i rekomandimeve të Komisionerit për vitin 2024, është 294 vendime dhe katër rekomandime”, tha Gajda.
“Për sa i takon ndarjes sipas subjekteve për çështjet e trajtuara gjatë vitit 2024, rezulton se 144 ankesa janë të trajtuara për ankuese gra, 158 për ankues burra, 37 për ankesa nga OJF, 28 nga grup personash dhe 13 çështje ex-officio të trajtuara”, vijoi ai.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi u shpreh se ankesat në fushën e punësimit për vitin 2024 përbëjnë 39,2% të ankesave të përgjithshme, ndërsa ankesat në fushën e të mirave dhe shërbimeve janë 163 (42,9%), nga këto 98 kundër subjekteve publike dhe 65 kundër subjekteve private.
“Ankesat në fushën e arsimit janë 68 (17,9%), drejtuar kundër subjekteve publike, ndër të cilat në 6 raste ato janë drejtuar kundër institucioneve qendrore të arsimit dhe në 62 raste kundër institucioneve vendore të arsimit”, tha Gajda.
Sipas tij, KMD për vitin 2024, ka përfunduar shqyrtimin e 47 çështjeve ku janë trajtuar problematikat e fëmijëve. Komisioneri ka shqyrtuar në total 12 çështje me objekt përdorimin e gjuhës së urrejtjes, nga të cilat 11 ankesa.
“Në dy raste është pretenduar përdorimi i gjuhës së urrejtjes për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor, në katër raste për shkak të etnisë, në dy raste për shkak të bindjeve fetare, në një rast për shkak të racës, në një rast për shkak të pamjes së jashtme, në një rast për shkak të gjinisë dhe në një rast për shkak të aftësisë së kufizuar”, tha ai.
“Për vitin 2024, Komisioneri është shprehur me 13 vendime me gjobë, në vlerën 2.650.000 lekë, si për 8 vendime me gjobë për moszbatim të vendimit në themel të Komisionerit dhe për 5 vendime me gjobë kundër subjekteve, që nuk kanë dhënë informacion, pas kërkesave zyrtare së KMD-së”, pohoi Gajda.
“Rritja e ndërgjegjësimit të opinionit publik është një nga veprimtaritë themelore të KMD-së, është realizuar përmes rritjes së rolit aktiv në media të Komisionerit, me qëllim rritjen e aksesit dhe të besimit të publikut për institucionin. Komisioneri numëron 21 dalje në media gjatë vitit 2024, duke bashkëpunuar me median si burim i mundshëm informacioni, për promovimin e luftës kundër diskriminimit. Gjithashtu, KMD kanë marrë pjesë në 52 aktivitete të ndryshme si takime, seminare, trajnime, tryeza diskutimi, grupe pune, workshop, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit me institucione shtetërore apo organizata, kombëtare apo ndërkombëtare, që mbrojnë të drejtat e njeriut”, pohoi Gajda.
