Fonde të reja nga BE për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi! Vendi ynë merr këstin e parë prej 99.3 milionë eurosh

Komisioni Europian ka ndarë fonde për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut si pjesë e planit të rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Pagesat bëhen në disa etapa, bazuar në reformat që këto vende kanë zbatuar për t’u përshtatur me standardet e BE-së.

Shqipëria do të marrë këstin e parë prej 99.3 milionë eurosh, ndërsa Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut do të marrin këstin e dytë, përkatësisht nga 8.1 dhe 16 milionë euro.

Që prej nisjes së planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor, shumat totale të disbursuara arrijnë në 99.3 milionë euro për Shqipërinë, 18.3 milionë euro për Malin e Zi dhe 25 milionë euro për Maqedoninë e Veriut.

Ky plan synon të nxisë përgatitjet e partnerëve drejt anëtarësimit në BE, duke përshpejtuar përfitimet në prag të integrimit të plotë.

Gjithashtu, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, së bashku me Moldavinë, janë partnerët e parë kandidatë për BE që do të bashkohen në skemat e Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).

Një zhvillim historik, sipas Komisionit, që do të bëjë transaksionet në euro mes këtyre katër partnerëve dhe Bashkimit Europian më të sigurta, më të shpejta dhe më të lira, me një kursim potencial deri në 500 milionë euro për qytetarët dhe bizneset.

“Sot festojmë rezultatet konkrete që përpjekjet tona të vazhdueshme për integrimin gradual të vendeve kandidate po sjellin për qytetarët dhe bizneset e tyre. Puna jonë nuk ndalet këtu,” u shpreh komisionarja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos.