Lezhë/ U kapën në flagrancë gjatë natës duke kryer gjueti të paligjshme, procedohen penalisht 2 qytetarë
Dy persona u kapën në flagrancë në Ishull Lezhë, duke kryer gjueti të paligjshme, ndërsa në automjetin e tyre u gjetën 20 shpendë të vrarë me armë gjahu.
Operacioni u zhvillua nga Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në kuadër të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e gjuetisë së paligjshme në qark.
Për shkak të shkeljes së Moratoriumit të Gjuetisë, u bllokuan dy armë gjahu me leje, automjeti dhe fishekët, ndërsa materialet u referuan në Prokurori.
Njoftimi i policisë:
U kapën në flagrancë gjatë natës, në Ishull Lezhë, duke kryer gjueti të paligjshme, procedohen penalisht 2 shtetas. Në automjetin e tyre u gjetën 20 shpendë të vrarë me armë gjahu.
Bllokohen për shkak të shkeljes së Moratoriumit të Gjuetisë, 2 armë gjahu që këta shtetas i kishin me leje. Sekuestrohen automjeti dhe fishekë arme gjahu.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, bazuar në planin e masave të hartuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, për parandalimin dhe goditjen e rasteve të gjuetisë së paligjshme, kanë kryer kontrolle në zona të ndryshme të qarkut Lezhë.
Gjatë kontrolleve, në Ishull Lezhë, janë kapur në flagrancë 2 shtetas që po kryenin gjueti të paligjshme në këtë zonë. Në vendin ku u kapën këta shtetas, u konstatua dhe automjeti i tyre, në të cilin, gjatë kontrollit u gjetën 20 shpendë të vrarë me armë gjahu, si dhe disa fishekë për armë gjahu.
Në përfundim të veprimeve për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. P., 28 vjeç, banues në Divjakë, dhe M. H., 31 vjeç, banues në Tiranë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Dëmtimi i specieve të vogla të florës dhe faunës së egër.”
