Në 2024, ISKK identifikoi 46 572 persona të persekutuar
Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri ka identifikuar vitin e shkuar 46 572 persona të persekutuar gjatë regjimit komunist, ndërkohë që shifra mendohet të jetë edhe më e lartë.
Kjo u bë e ditur gjatë raportimin në Kuvend të kryetarit të Bordit të ISKK-së, Mentor Beqa, i cili foli mbi veprimtarinë e Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri për vitin 2024.
Beqa theksoi se statistikat u nxorën bazuar në të dhënat e Fjalorit Enciklopedik të Viktimave të Terrorit Komunist, ndërsa theksoi se “kjo shifër mund të jetë më e lartë, sepse dokumentacioni nuk ka qenë në rregull”.
“Vitin e kaluar ISKK identifikoi numrin total të personave të persekutuar gjatë regjimit komunist në të gjitha kategoritë (vrasje, ekzekutim, burgosje, internim, dëbim). Kjo shifër është 46.572 persona, por mund të jetë më e lartë, sepse dokumentacioni nuk ka qenë në rregull. Deri tani kaq janë mundur të identifikohen”, u shpreh Beqa.
Po ashtu, Beqa informoi se vitin e kaluar u identifikuan dhe 2254 persona të vrarë nga komunistët gjatë periudhës 1 janar 1942-29 nëntor 1944.
Veprimtaria e ISKK gjatë vitit 2024, sipas tij, u përqendrua edhe në përkujtimin e ngjarjeve të rëndësishme të qëndresës antikomuniste gjatë regjimit komunist, siç ishte revolta e të burgosurve politikë në kamp-burgun e Qafë-Barit më 22 maj 1984.
Po ashtu, Beqa tha se pjesë e rëndësishme e aktiviteteve të ISKK-së gjatë vitit që shkoi ishte edhe organizimi i konferencave shkencore si dhe publikimi i artikujve studimorë, ndërsa veçoi mbledhjen dhe përgatitjen për botim të ligjeve represive të regjimit komunist, si dëshmi e dhunës së strukturuar shtetërore ndaj qytetarëve.
Informimi i publikut, sipas tij, ka qenë në fokus të punës së ISKK-së, që synon informimin e brezit të ri për jetën e fëmijëve në internim dhe në burgje gjatë regjimit komunist.
Po ashtu, Beqa theksoi se ISKK ka punuar edhe për mbledhjen e dëshmive të ish-të dënuarve për arsye politike, botimin e tyre dhe informimin e publikut për jetën në burgje, internim, dëbim dhe forma të tjera persekutimi.
“ISKK ka punuar gjithashtu për ndërkombëtarizimin e historisë së komunizmit në Shqipëri, përmes botimeve jashtë shtetit, ligjërimit në konferenca ndërkombëtare dhe zgjerimit të rrjetit të aktiviteteve dhe partnerëve ndërkombëtarë”, shtoi ai.
