BE PRESION PËR REFORMA SERBISË! Ursula von der Leyen viziton Beogradin, kërkon hapa konkretë drejt BE-së
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës në Beograd, kërkoi nga Serbia përparim të dukshëm në sundimin e ligjit, mediat dhe reformat zgjedhore. Ajo tha se është momenti që Serbia të ndërmarrë hapa konkretë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe të përafrojë politikën e jashtme me atë të BE-së.
Bashkimi Evropian ka përcjellë një mesazh të qartë për Serbinë, rruga drejt anëtarësimit në union kalon përmes reformave të thella dhe konkrete.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në vizitën e saj në Beograd gjatë takimit më presidentin serb Aleksandër Vuçiç kërkoi përparim në sundimin e ligjit, lirinë e mediave dhe procesin zgjedhor, duke nënvizuar se është momenti që Serbia të tregojë angazhim real ndaj vlerave evropiane.
“Tani është momenti i duhur që Serbia të ndërmarrë hapa konkretë drejt BE-së. Duhet të shohim përparim në sundimin e ligjit, në fushën e mediave dhe në ligjet zgjedhore.”
Vizita e Von der Leyen vjen në një periudhë tensionesh të brendshme në Serbi, pas protestave të gjera antiqeveritare që pasuan tragjedinë në Novi Sad.
Shefja e Komisionit Evropian tha se BE-ja është e gatshme ta mbështesë Serbinë në rrugën e saj evropiane, por kërkoi përshtatje më të madhe me politikën e jashtme të Unionit, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë.
Von der Leyen: “Ne duam ta shohim Serbinë si një partnere të besueshme, të përafruar më shumë me politikat e BE-së.”
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, e cilësoi integrimin evropian si prioritet strategjik të Serbisë, por theksoi se procesi po ecën ngadalë.
Vuçiç: “Ne mbetemi të përkushtuar ndaj rrugës evropiane, por shpresojmë në më shumë mirëkuptim dhe mbështetje nga Bashkimi Evropian.”
Mesazhi nga Beogradi mbetet i qartë rruga drejt BE-së kalon përmes reformave konkrete dhe angazhimit të sinqertë të Serbisë ndaj vlerave evropiane.

