BE PO “VËZHGON” KOSOVËN! Brukseli: Certifikoni vendoret, kujdes ndaj ndërhyrjeve

Bashkimi Evropian ka përshëndetur zhvillimin paqësor të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit në Kosovë, duke theksuar se procesi u karakterizua nga pjesëmarrja e të gjitha komuniteteve.

Reagimi erdhi nga zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper, e cila kërkoi certifikim të shpejtë të rezultateve dhe tranzicion të rregullt të pushtetit në komunat ku fituesit u shpallën që në raundin e parë, duke bërë thirrje që procesi të mbetet paqësor dhe gjithëpërfshirës edhe në raundin e dytë.

Më tej, Brukseli kërkoi që raundi i dytë të zhvillohet pa incidente dhe me transparencë të plotë, duke u bërë apel të gjitha palëve të shmangin çdo ndërhyrje që mund të minojë besimin në institucionet vendore.

Një mision ekspertësh të Bashkimit Evropian ndodhet në Kosovë me ftesë të presidentes Vjosa Osmani, për të vëzhguar procesin dhe për të dhënë një raport përfundimtar në maj të vitit të ardhshëm.

Presidentja e Kosovës dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë akuzuar Serbinë për ndërhyrje të drejtpërdrejtë në zgjedhje, përmes ndikimit te komuniteti serb dhe Listës Serbe, duke kërkuar reagim të qartë nga BE-ja.

BE-ja nuk ka dhënë një përgjigje konkrete nëse ka prova për ndërhyrje të Serbisë, por ka kujtuar se raportet e mëparshme të misionit vëzhgues kanë evidentuar përfshirjen e mediave të mbështetura nga Kremlini në publikimin e materialeve manipuluese gjatë fushatave zgjedhore.

Në 21 komuna janë zgjedhur kryetarët që në rundin e parë, ndërsa në 17 të tjera, përfshirë Prishtinën, zgjedhjet do të përsëriten në raundin e dytë më 9 nëntor.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja arriti në rreth 40% të qytetarëve me të drejtë vote.