Vr*sja e pronarit grek dhe shqiptarit/ Dy 22-vjeçarë në pranga, fajësojnë njëri-tjetrin për krimin

Dy 22-vjeçarët që u arrestuan nga policia lidhur me krimin e dyfishtë brenda kampingut në Finikounda ku u vranë pronari grek dhe miku i tij shqiptar, kanë dhënë versione të ndryshme lidhur me atë çfarë ka ndodhur mbrëmjen e 5 Tetorit.

Sipas burimeve për Protothema.gr, dy të rinjtë kanë komplikuar më tej çështjen me dëshmitë e dhëna, ku fajësojnë njëri-tjetrin si autorë të krimit.

22-vjeçari që u vetëdorëzua ditën e djeshme i shoqëruar nga avokati dhe u arrestua si bashkëpunëtor, pretendon se ka qenë shoku i tij që kreu vrasjen e dyfishtë.

Ai pretendoi se mbërritën në vendngjarje me motor, por vetë qëndroi jashtë kampingut, ndërsa 22-vjeçari tjetër hyri brenda duke qëlluar pronarin grek dhe shqiptarin.

Pas dëshmisë së tij, policia vendosi në pranga edhe 22-vjeçarin tjetër si autor të krimit. Por, ky i fundit ka deklaruar para hetuesve se nuk ishte ai që qëlloi, duke ia hedhur fjalin të arrestuarit si bashkëpunëtor.

Edhe pse nipi i viktimës e identifikoi si autor të krimit, 22-vjeçari dyshohet se i tha policisë se nuk kishte arsye të vriste askënd pasi nuk njihte asnjë nga viktimat.