Lamallari te "Ligjet": 65.5 mln euro të sekuestruara, AI pjesë e strategjisë hetimore! Krimi kibernetik në rritje, të ndryshohet Kodi Penal

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari po raporton sot në Komisionin e Ligjeve, ku bëri një raport të punës së bërë nga kjo ministri gjatë vitit 2024.

Gjatë fjalës së tij, Lamallari theksoi se janë rritur hetimet proaktive dhe sekuestrimet pasurore në krahasim me 5 vitet e fundit.

“Shqipëria ka pasur në 2024 rritjen më të lartë të hetimeve proaktive dhe sekuestrimet pasurore të 5 viteve të fundit. Hetime të nisura kryesisht nga prokurorët janë rritur me 12.3 për qind.

Janë sekuestruar 65.5 mln euro pasuri. 569 çështje korrupsioni me 234 të pandehur janë çuar për gjykim, ndërsa SPAK ka regjistruar 65 hetime të nisura kryesisht”, tha ai.

Lamallari ka renditur edhe 5 objektivat për vitin 2025, mes të cilave përmendi edhe përdorimin e Inteligjencës Artificiale në hetimet proaktive:

Sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut

Forcimi i luftës ndaj kriminalitetit

Integriteti dhe transparenca në punën e prokurorisë

Rritja e eficencës dhe kapaciteteve institucionale

Përdorimi i metodave bashkëkohore dhe ndërveprimi institucional, përdorimi I AI në hetime proaktive.

Lamallari pohoi se ka një tendencë të krimeve të reja, siç është dhe krimi kibernetik, që duhet të pasqyrohen në kodin e ri.

“Vlera e pasurive të konfiskuara përkon me 60% më shumë se një vit më parë. Kemi dhe të pandehur më shumë për çështje korrupsioni. Bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë është me rëndësi të veçantë, jo vetëm për statusin ku ndodhet Shqipëria, por dhe për dimensionin e sigurisë.

Tendencat kriminale rrezikojnë jo vetëm Shqipërinë, por dhe më gjerë. Çështjet e terrorizimit, apo dhe çështjet e armëve, janë problematika jo vetëm të Shqipërisë.

Ne jemi angazhuar ndaj Komisionit Europian për të plotësuar dhe kapitullin 23, për ta bërë të prekshme angazhimin tonë për përmbylljen e piketave të ndërmjetme deri në 2025. Krahas punës që po bëhet me kodin penal, po vijon puna dhe për kodi e ri Penal, që do të vijojë dhe gjatë vitit 2026.

Kemi rreth 25 tryeza të planifikuara që po ndodhin dhe do të ndodhin. Takime me shoqëri civile apo me biznese. Kodi ekzistues penal u miratua në 1995 dhe ka kaluar shumë vite që atëherë. Përgjatë kësaj kohe kemi identifikuar probleme por dhe tendenca të ndryshime kriminale, siç është krimi kibernetik.

Është e domosdoshme që të reflektojmë këto ndryshime dhe t’i ofrojmë mundësi këtyre ndryshimeve. Kodi i Procedurës Penale duhet t’i nënshtrohet ndryshimeve.”, tha ai.