Balla: Zgjedhja e Avokatit të Popullit, jo më peng i opozitës

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha sot se “përpjekjet e shumicës parlamentare tanimë në kufijtë e 3/5 janë që t’i japim Shqipërisë një Avokat Populli edhe në vizionin Shqipëria 2030, anëtare e BE-së”.

Në një prononcim për mediet, Balla theksoi se “Avokat i Popullit do të jetë dikush që përmbush profesionalisht parashikimet që ka Kushtetuta dhe ligji ‘Për avokatinë’, jo anëtar i një partie politike, por një përfaqësues i nderuar i shoqërisë civile me kontribute në jetën sociale të vendit”.

“Nuk mund të jap një parashikim, sepse ju e dini që ky proces pikësëpari niste me vetofrimin. I bëj thirrje të gjithë atyre që përmbushin kriteret të aplikojnë, dhe pas këtij procesi thirrja tjetër shkon për grupet parlamentare të opozitës në Kuvend. Kësaj radhe nuk e kanë më të drejtën ta mbajnë peng zgjedhjen e Avokatit të Popullit”, theksoi Balla.

Kreu i grupit parlamentar socialist u shpreh se “jemi këtu në këtë situatë tre vjet me vonesë për zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit për shkak të mungesës së dëshirës nga ana e opozitës për t’u bërë pjesë e këtij procesi”.

“Tanimë nuk e kanë as mbajtjen peng të këtij procesi, sepse nëse opozita nuk do të dojë të bëhet pjesë jemi të detyruar t’i japim Shqipërisë Avokatin e ri të Popullit”, tha Balla.

Pyetjes nëse mazhoranca socialiste parashikon që brenda fundit të vitit të kemi Avokatin e ri të Popullit, Balla iu përgjigj se “do doja shumë që ta zgjidhim deri në Krishtlindje.

Nuk di afatet se keni parasysh është 20-30 ditë kohë aplikimet, por ne do t’i japim Shqipërisë Avokatin e Popullit, me shpresën se do t’i japim një personalitet në fushën e jurisprudencës, në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Ne e kemi dhënë një shembull konkret në Kuvend, sepse komisionit më të rëndësishëm që merret me të drejtat e njeriut dhe mjetet e informimit publik ia kemi dhënë opozitës”.

DEKLARATA E SOTME E KRYEDEMOKRATIT SALI BERISHA LIDHUR ME AVOKATIN E POPULLIT