Izraeli publikon listën e 250 të burgosurve që do të lirohen gjatë shkëmbimit të pengjeve

Izraeli publikoi një listë prej 250 të burgosurish që do të lirohen në këmbim të pengjeve të mbajtura në Gaza, si pjesë e armëpushimit me Hamasin që hyri në fuqi sot.

Lista e të burgosurve, e publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Drejtësisë të Izraelit, nuk përfshin asnjë nga të burgosurit kryesorë që janë simbole të luftës së armatosur palestineze kundër Izraelit, emrat e të cilëve lëvizja islamike ua kishte kaluar ndërmjetësve me shpresën e lirimit të tyre.

Kështu emrat e Marwan Barghouthi, Ahmad Saadat, Hassan Salameh dhe Abbas Al-Sayyed, të dënuar me burgim të përjetshëm për sulme vdekjeprurëse antiizraelite nuk janë përfshirë në listë.

Izraeli dhe Hamasi kanë miratuar fazën e parë të planit 20-pikësh të propozuar nga presidenti i SHBA-së Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza.

Si rrjedhojë, një armëpushim hyri në fuqi sot në orën 09:00 dhe ushtria izraelite njoftoi tërheqjen e saj në linjat e dakorduara brenda Rripit të Gazës.

Sipas planit të Trump, brenda 72 orëve nga hyrja në fuqi e armëpushimit, Hamasi duhet të lirojë 47 pengjet (të gjallë ose të vdekur) të marra më 7 tetor 2023, gjatë sulmit të tij që shkaktoi luftën, si dhe eshtrat e një ushtari të vrarë në vitin 2014 gjatë një lufte të mëparshme në Gaza.

Në këmbim, Izraeli duhet të lirojë 250 të burgosur për arsye sigurie (shumë prej të cilëve të dënuar) si dhe 1 700 palestinezë nga Gaza të arrestuar nga forcat izraelite që nga tetori 2023.