Skandal spiunazhi në BE: Ursula von der Leyen kërkon sqarime nga Olivér Várhelyi
Komisioneri Evropian për Shëndetësi, Olivér Várhelyi, ndodhet në qendër të një stuhie politike pas zbulimeve të disa mediave evropiane për një rrjet të dyshuar spiunazhi që operonte në përfaqësinë e përhershme të Hungarisë në Bruksel, në kohën kur ai shërbente si ambasador.
Sipas raportimeve, rrjeti po përpiqej të rekrutonte shtetas hungarezë brenda institucioneve të BE-së për të mbledhur informacione të ndjeshme.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka kërkuar një takim urgjent me Várhelyi-n për të diskutuar mbi akuzat, ndërsa zëdhënësja e Komisionit, Paula Pinho, deklaroi se “presidentja synon ta ngrejë këtë çështje me komisionerin sa më shpejt të jetë e mundur”.
Komisioni Evropian ka njoftuar gjithashtu krijimin e një grupi pune të brendshëm për të hetuar akuzat, të cilat datojnë nga vitet 2012–2018, një periudhë kur marrëdhëniet mes Budapestit dhe Brukselit ishin përkeqësuar ndjeshëm për shkak të çështjeve të sundimit të ligjit dhe lirisë së medias.
Në një zhvillim paralel, 60 profesorë nga 30 vende evropiane kanë firmosur një letër drejtuar Parlamentit Europian, duke vënë në pikëpyetje nëse Várhelyi mund të vazhdojë të mbajë postin e tij si Komisioner, duke theksuar se “aktivitetet e dyshuara janë thelbësisht të papajtueshme me parimin e pavarësisë që kërkohet nga të gjithë anëtarët e Komisionit”.
Organizata Transparency International ka bërë thirrje që Parlamenti Evropian të krijojë një komision hetimor, duke kërkuar “një përgjigje të shpejtë dhe vendimtare institucionale”.
Drejtori i TI-së, Nick Aiossa, u shpreh se “nëse këto akuza rezultojnë të vërteta, ato dëshmojnë shpërfilljen flagrante të Viktor Orbán për sundimin e ligjit në Bashkimin Evropian”.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Hungarisë, Péter Szijjártó, minimizoi rëndësinë e çështjes gjatë një debati në parlamentin hungarez, duke e cilësuar hetimin si “të ekzagjeruar dhe politikisht të motivuar”.
