Talebanët akuzojnë Pakistanin për shkelje të sovranitetit
Qeveria talebane e Afganistanit ka akuzuar Pakistanin për shkelje të sovranitetit territorial, duke e cilësuar një sulm të dyshuar ajror në provincën juglindore të Paktikës si një akt “të paprecedentë, të dhunshëm dhe provokues”.
Sipas Ministrisë afgane të Mbrojtjes, bombardimi ka goditur një treg civil, duke shkaktuar dëme materiale. Banorë lokalë raportuan për shkatërrimin e disa dyqaneve.
Ngjarja ndodhi pas dëgjimit të dy shpërthimeve të fuqishme në Kabul të enjten mbrëma, për të cilat u përhapën zëra se kishin në shënjestër liderin e Talibanëve Pakistani (TTP), Noor Wali Mehsud.
TTP më vonë publikoi një audio të pa verifikuar ku pretendohet se Mehsud është gjallë.
Pakistani nuk e ka konfirmuar dhe as mohuar zyrtarisht sulmin, por gjatë një konference për shtyp në Peshavar, një gjeneral i lartë pakistanez deklaroi se territori afgan po përdoret si bazë për sulme terroriste kundër Pakistanit.
Ai tha se “çfarëdo mase që duhet marrë për mbrojtjen e qytetarëve pakistanezë, do të merret”.
Ndërkohë, qeveria talebane mohon akuzat se po strehon grupin TTP në territorin e saj dhe paralajmëron se, nëse situata përshkallëzohet, përgjegjësia do të bjerë mbi ushtrinë pakistaneze.
Pavarësisht tensioneve, ministri i Jashtëm i qeverisë talebane, Amir Khan Muttaqi, nga kryeqyteti indian Delhi, u shpreh se Afganistani dëshiron të ruajë marrëdhënie të mira me Pakistanin dhe se problemet mes dy vendeve duhet të zgjidhen nëpërmjet dialogut, jo përmes luftës.
