Kur Drejtësia vret në heshtje: Vdekja në sallën e gjyqit dhe varri i hapur për sekretaret gjyqësore

Më 7 tetor, në një sallë gjyqi në Gjykatën e Apelit, drejtësia u rrëzua jo vetëm në kuptimin metaforik, por në atë më të dhimbshëm dhe më mizor: gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën në krye të detyrës, përballë syve të një salle të tronditur dhe në sy të asaj që ndoshta është viktima e radhës e heshtur e këtij sistemi: sekretarja gjyqësore Xhuliana Kulla, dëshmitare e një tragjedie që simbolizon edhe kolapsin moral të një sistemi që ka kohë që është braktisur.

Të gjithë flasin për drejtësinë. Por kush flet për ata që e mbajnë drejtësinë gjallë nga prapaskena? Sekretaret gjyqësore, punonjësit më të padukshëm të sistemit të drejtësisë, punojnë çdo ditë në kushte që nuk do guxonte t’i pranonte asnjë vend që thirret demokratik. Ata nuk kanë as zë, as përfaqësim, as mbrojtje. Ata janë “shërbëtorët e padukshëm” të një sistemi që i trajton më keq se një shifër në bordero: me një pagë poshtë çdo dinjiteti, rreth 90 mijë lekë të reja në muaj, dhe me një ngarkesë emocionale dhe fizike që askush nuk e llogarit.

Gjatë gjithë këtyre ditëve, mediat, institucionet dhe analistët kanë debatuar me zell për sigurinë fizike të gjyqtarëve, prokurorëve dhe palëve në proceset gjyqësore. Me të drejtë. Por çuditërisht, dhe për turpin e sistemit, në asnjë moment nuk është përmendur siguria fizike dhe emocionale e administratës gjyqësore. Si të mos ekzistojnë. Si të mos jenë aty. Si të mos jenë njerëz!

Thua nuk ka rëndësi siguria fizike e sekretarëve gjyqësorë dhe e të gjithë administratës?! Ata kërcënohen përditë, ftohen në seanca ku tensioni është i përditshëm, përballen me konflikte, ulërima, presione psikologjike dhe ngarkesë që as nuk përmendet në bilancet zyrtare.

Dhe kur guxojnë të kërkojnë më të paktën: një kusht pune dinjitoz, një masë sigurie, një trajtim njerëzor, përgjigjja që marrin është një shpullë morale:

"Në dy gishta letër, formulo kërkesën e dorëheqjes, nëse nuk të pëlqen. Shko ku të duash. Ka me radhë që presin!"

Kjo është mënyra si sillet një shtet me punonjësit e vet? Kjo është reforma për të cilën krenohemi para ndërkombëtarëve?

Pas vdekjes së gjyqtarit Kalaja, tronditja nuk ishte vetëm shpirtërore. Ishte biologjike. E papërballueshme. Dhe sot, në vend që institucionet të rishikojnë trajtimin e punonjësve të administratës gjyqësore, presioni bie mbi ta. Pyetja që lind është: a është drejtësia aq e verbër, sa nuk sheh punëtorët që e mbajnë mbi shpatulla çdo ditë?

Çfarë duhet të ndodhë më shumë? Duhet të shohim viktima të tjera që të flasim për konventat ndërkombëtare që po dhunohen në mes të ditës? A ekziston ndonjë institucion që guxon të thotë hapur se kjo situatë është turp kombëtar?

Sepse po, është turp! Turp që pas çdo vendimi gjyqësor që publikohet me pompozitet në faqet e para të mediave, harrohet se pa sekretaren gjyqësore nuk ka seancë, nuk ka proces, nuk ka vendim të zbardhur. Asnjë! Ata janë të barabartë në rëndësi me gjyqtarin në sallë, por me trajtim të një shërbëtori të pavlerë në sistem.

Ndërkohë që pagat e magjistratëve rriten nga viti në vit, sekretaret gjyqësore trajtohen si një prapavijë e pavlerësuar, e cila edhe kur shohin vdekjen me sy nuk kanë as të drejtën e një pushimi mjekësor emocional, as ndihmë psikologjike, as mbështetje ligjore.

Kush i mbron sekretarët gjyqësorë? Kush ngre zërin për të drejtat e tyre? Kush mban përgjegjësi për një sistem që punëson njerëz në kushte mizerabël, me rroga qesharake dhe pa asnjë siguri fizike apo mendore?

Mos mendoni se është një çështje e mbyllur. Kjo është një thirrje urgjente për Ministrinë e Drejtësisë, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe çdo institucion që ka në gojë fjalën "reformë": filloni nga baza, ndryshe sistemi do shembet jo nga padia, por nga shpërfillja.

Sepse drejtësia që vret në heshtje është më e frikshme se padrejtësia që bërtet në publik.