Krimi në gjyq/ Lihen në burg Elvis Shkambi, xhaxhai i tij dhe roja i Apelit. Ja çfarë deklaruan në seancë
Nën masa të rrepta sigurie u zhvillua këtë të enjte seanca gjyqësore në ngarkim të Elvis Shkambit dhe xhaxhait të tij Gjon Shkambit.
Elvis Shkambi akuzohet për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit pasditen e 6 tetorit.
Ndërsa Gjon Shkambi dyshohet se ka pasur dijeni për veprimet e nipit të tij.
Ndërsa, Banush Konxhaj është roja i sigurisë, që nuk mori masa dhe la autorin, të hyjë në sallën e gjyqit me pistoletë.
Për të tre këta persona gjykata vendosi masën e sigurisë arrest me burg.
Në seancën e sotme Elvis dhe Gjon Shkambi i kanë kërkuar falje publike familjes së gjyqtarit Kalaja, duke pretenduar se ngjarja ka ardhur si shkak i tronditjes së lartë psiqike për shkak të kalvarit të gjatë të gjyqeve.
Kishte pretendime për gjykatën, pasi nuk e kanë zgjidhur siç duhet çështjen e pronësisë.
Nga ana tjetër, Banush Koxhaj ka deklaruar se në kohën kur kanë kaluar në skaner nuk ka qenë mirë dhe ka pasur diabet.
“Kam lajmëruar kancelarin e gjykatës dhe më ka dhënë leje për t’u vizituar”, mësohet se ka deklaruar Koxhaj.

