Gajda: 294 vendime për mbrojtjen nga diskriminimi dhe 4 rekomandime gjatë 2024-ës
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda u shpreh sot gjatë punimeve në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik se gjatë vitit të kaluar, ky institucion ka dhënë 294 vendime dhe katër rekomandime.
Nga këto sipas Gajdës, 94 vendime dhe 4 rekomandime për ankesa/çështje të regjistruara në vitin 2023 dhe 200 vendime, për ankesa të depozituara apo çështje të iniciuara gjatë vitit 2024.
“Në punën tonë ne merremi me zbatimet e ligjeve me karakter social, të cilat në implementimet e tyre kërkojnë miratim aktesh nënligjore dhe një zbatim rigoroz nga administrata publike. Gjetje kryesore në punën tonë jo vetëm për vitin 2024, por ndër vite është që shohim një keqzbatim nga ana e administratës të ligjeve me karakter social që parashikojnë shërbime dhe të drejta sidomos për grupet më vulnerabël në shoqërinë tonë”, tha ai.
Sipas Gajdës, ka disa grupe shoqërore që rezultojnë si më të diskriminuarat në shoqërinë shqiptare. Për personat me aftësi të kufizuar, sipas komisionerit Gajda, ka një mungesë të theksuar të infrastrukturës së nevojshme që ata të mund të lëvizin lirshëm dhe të kenë një jetesë të pavarur.
“Personat që nuk shikojnë hasin vështirësi për të pasur bileta falas në transportin qytetas, apo që të përfitojnë bileta me 50% ulje në transportin ndërqytetas. Problematikë tjetër është bindja politike ku evidentohen heqja nga puna në administratën publike për shkak të bindjeve politike në pushtetin vendor, ku kemi një mori ankesash”, vijoi Gajda.
“Një tjetër problematikë lidhet me shkakun e pretenduar racë apo etni, por që identifikohet me komunitetin rom dhe egjiptian. Edhe këtu problematikat janë çështjet e strehimit dhe nga gjetjet tona në shumë qytete ekzistojnë familje të tëra me fëmijë, të moshuar që jetojnë në kushte çnjerëzore”, tha ai.
Sipas Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, gjinia mbetet një trend tjetër ankesash ndaj institucionit KMD. Më të targetuarat sipas Gajdës në këtë aspekt janë gratë që preken në momentet vulnerabël si shtatzënia apo mëmësia.
“Me këtë të fundit ka një pandjeshmëri nga institucionet publike dhe private për t’i njohur gruas ato lehtësi që duhet të jenë të nevojshme për një balancë mes punës dhe fëmijës”, pohoi ai.
“Gjuha e urrejtjes është një formë diskriminimi për rrjedhojë, institucioni kryen hetime me këtë fenomen, por trendin shqetësues e kemi hasur të targetuar kundrejt personave LGBT, pra orientimi seksual”, pohoi Gajda.
Gajda u shpreh se nga ana e gjykatave shihet një përmirësim në cilësinë e arsyetimit dhe vendimmarrjes në çështje që lidhen me diskriminimin, me një rritje të çështjeve që shkojnë në gjykatën administrative apo civile.
Komisioneri tha se gjatë vitit 2024 janë dhënë në total një shifër prej 115 milionë lekë të reja dëmshpërblime, një instrument që Gajda e cilësoi të nevojshëm për parandalimin e çështjeve diskriminuese të të gjitha natyrave.
Ivi Kaso, në cilësinë e zëvendëskryetarit të Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, u shpreh se në administratën publike janë evidentuar sipas vendimeve të gjykatave, rreth nëntë mijë çështje diskriminimi me bazë bindjeje politike.
Kaso u ndal edhe te gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale, të cilën ai e cilësoi histeri kolektive pas ngjarjes së rëndë ku mbeti i vrarë në vendin e punës, gjyqtari Astrit Kalaja. Gjithashtu, Kaso tha se është shqetësues fakti që ka një rënie nga 56% në vitin 2023, në 28% gjatë vitit të kaluar sa i takon përgjigjes së institucioneve ndaj rekomandimeve të KMD-së.
“Në pesë vitet e fundit ka një numër të madh ankesash, ku rreth 30 janë për diskriminim me bazë bindjen politike. Problematika ka qenë adresuar në pushtetin vendor, ku ka një numër të madh ankesash dhe vendime diskriminimi heqje nga puna vetëm për shkak të bindjes politike. Shifra 56% që ju referoni është më pak se kaq”, tha Gajda në përgjigje të pyetjeve të Kasos.
Sipas raportit vjetor të veprimtarisë së KMD-së gjatë vitit 2024, bazuar në numrin total të ankesave, rezulton se 66.4% e tyre i janë drejtuar zyrës së KMD në Tiranë, ndërsa 33.6% e ankesave kanë ardhur nga Zyrat Rajonale Korçë, Fier dhe Shkodër. Nga numri total i ankesave (265), 12% e tyre janë shtetas migrantë brenda vendit, ndërsa 0.8% janë shtetas të huaj.
