Konferenca e Kryetarëve/ Gjekmarkaj: Figura e Enver Hoxhës në Kuvend, ofendim për shqiptarët dhe martirët
Ditën e sotme në Kuvend po zhvillohen mbledhje të rëndësishme, ku janë parashikuar të mblidhen 6 komisione parlamentare dhe Konferenca e Kryetarëve.
Konferenca nisi në orën 09:00, ku në rend dite është shqyrtimi i kërkesës së një grupi deputetësh të Partisë Demokratike për mocion me debat dhe ngritjen e një komisioni të posaçëm lidhur me gjetjet e OLAF mbi fondet e programit IPARD.
Në Konferencën e Kryetarëve, deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka reaguar ndaj një shkresë të Kuvendit ku gjatë muajit tetor do të nderoheshin figura dhe personalitet, mes tyre edhe Enver Hoxha.
Gjekmarkaj i kërkuar që mazhoranca të mbajë përgjegjësi morale për atë që ai e cilësoi si rehabilitim të një figure që përfaqëson diktaturën komuniste në Shqipëri.
Duke iu drejtuar përfaqësuesve të mazhorancës, Gjekmarkaj i akuzoi ata si trashëgimtarë të një regjimi diktatorial dhe theksoi se brenda grupit parlamentar të Partisë Socialiste ka individë që kanë shërbyer si hetues gjatë regjimit komunist.
“Ju duhet te mbani përgjegjësi morale për futjen e figurës se Enver Hoxhës ne analet Kuvendit të Shqipërisë. Po kujtoj këtu atë që ka thënë Dritero Agolli “Partia Socialiste ka lindur nga mitra e përgjakur e Partisë Punës”.
Ju këtu jeni trashëgimtare te asaj diktature, ne grupin tuaj parlamentar ka hetues te komunizmit. Prandaj ajo çfarë ka ndodh ne kuvend fyen besnikërinë e shqiptareve për te falur e jo për te harruar. Fyen kujtimin e martireve. Prandaj është ne nderin tuaj te distancoheni”, tha Gjekmarkaj në Konferencën e Kryetarëve që po zhvillohet me dyer të mbyllura.
