REALI I VIHET PAS YLLIT TË PSG/ Sulmuesi 20-vjeçar Desire Doue, objektivi i radhës i “Galaktikëve”
Real Madridi po mendon të kryejë një nga transferimet më të bujshme të merkatos. Në shtypin spanjoll raportohet se galaktikët i janë vënë pas yllit të Paris-Saint-Germain, Desire Doue, por pengesë mund të bëhet shifra e lartë financiare për kartonin e 20-vjeçarit. Klubi parizien e vlerëson sulmuesin rreth 150 milionë euro.
Real Madridi është duke përgatitur një tjetër lëvizje të bujshme në merkato. Los Blancos synojnë transferimin e yllit të ri të Paris Saint-Germain, Desire Doue një nga talentet më të spikatur të momentit në futbollin europian.
Edhe pse është vetëm 20 vjeç, Desire Doue tashmë ka bërë emër si një sulmues i shpejtë, teknik dhe vendimtar.
Ai u transferua te PSG-ja nga Rennes për një shumë prej 50 mln eurosh dhe ka kontratë të vlefshme deri në vitin 2029. Në sezonin e fundit, ai ishte protagonist absolut në finalen e Ligës së Kampionëve, ku shënoi dy gola dhe dha një asist në fitoren e PSG-së ndaj Interit.
Sipas raportimeve në shtypin spanjoll, Real Madridi ka nisur kontaktet për të siguruar shërbimet e djaloshit francez duke e konsideruar atë si pjesë të rëndësishme të projektit të ri sulmues.
Ideja është ndërtimi i një treshe sulmuese që përfshin Vinicius Junior, Kylian Mbappe dhe Desire Doue. Por pengesë mund të bëhet vlera financiare e tij. PSG kërkon për kartonin e tij jo më pak se 150 milionë euro.
Për ta bërë të mundur këtë operacion, Real Madridi mund të detyrohet të shesë disa emra të rëndësishëm si Brahim Diaz apo Rodrygo, për të balancuar financat dhe strukturën e pagave.
Klubi parisien nuk është i gatshëm ta shesë Doue-n në këtë moment. Sipas mediave ndërkombëtare, drejtuesit e PSG-së e shohin lojtarin si pjesë strategjike të projektit të tyre sportiv dhe nuk janë të hapur për negociata.
Megjithatë, një ofertë financiare shumë e lartë dhe një strategji e mirë e Real Madridit mund ta ndryshojnë këtë qëndrim.
Transferimi i Desire Doue do të ishte një tjetër sinjal i qartë se Real Madridi është në një fazë të re ndërtimi, ku yjet e rinj janë në qendër të projektit.

