Ankimi i Veliajt në Kushtetuese/ Kume: Presidenti po sigurohet për informacion të plotë para dekretimit të zgjedhjeve në Tiranë
Burime për Ora News kanë zbardhur dekretin e Presidentit të Republikës, i cili ka vendosur se data e zgjedhjeve për 6 bashkitë pa kryetar do të jetë data 9 nëntor.
Nuk dihet se si do të veprohet me Tiranës, pasi Kushtetuesja ka marrë në dorëzim fatin e shkarkimit të Veliajt, por akoma nuk është shprehur.
Për të folur më tepër për këtë temë, në një lidhje të drejtpërdrejtë në "Ora News", ishte ish-kreu i KQZ, Kristaq Kume, i cili komentoi situatën e vakancave në disa bashki, duke përfshirë Tiranën dhe rastin e Erion Veliajt.
" Së pari, për atë çka ka ndodhur deri sot lidhur me momentin kur ka filluar procedura për plotësimin e vakancave, duhet thënë se ligji nuk parashikon asgjë, pra nuk ka kushtëzim kohor në rastet kur krijohet vakanca për ta filluar procedurën për zëvendësimin e kësaj vakance.
Siç dihet ne jemi ndodhur përpara rasteve kur vakanca kanë mbetur si të tilla pa u zëvendësuar dhe me vite, siç është rasti i bashkisë së Shkodrës sepse nuk është zbatuar ajo që kërkohet në legjislacion, pra institucionet përkatëse të bënin detyrimin e tyre.
Edhe sot jemi përpara kësaj situate, ku do të ishte dashur që për 5 bashkitë, përveç bashkisë së Tiranës, procesi të kishte filluar më përpara, nuk kishte pse të zgjaste kaq shumë dhe të ishte dekretuar data e zgjedhjeve për këto bashki.
Për mua, ne jemi në kushtet ku Presidenti akoma është duke përdorur afatin 48 orë për të marrë vendimin për të dekretuar datën e zgjedhjeve.
Do të thotë se nuk po e shpenzon formalisht këtë, por po e shpenzon për të marrë informacion sa më të mirë të mundshëm, sa më real të mundshëm. Këtu kam parasysh rastin e Tiranës. Pse rasti i Tiranës? Sepse siç dihet tashmë zoti Veliaj që i është ndërprerë mandati me vendim të këshillit të Ministrave, duke përdorur atë çka e parashikon Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, neni 115, sipas të cilit në rast kur mandati ndërpritet me një vendim të Këshillit të Ministrave, personi përkatës ka të drejtë ta ankimojë brenda 15 ditëve, në Gjykatën Kushtetuese dhe siç e dimë që ai tashmë e ka ankimuar këtë vendim, mbase Presidenti i Republikës është në kushtet ku gjatë kësaj periudhe 48 orëshe, do të informohet të marrë informacione për këtë problem.
Për mua informacioni që mund të mari dhe që i duhet presidentit për të vepruar nuk është ajo çka është deklaruar, që Veliaj ka përdorur të drejtën kushtetuese. Kjo nuk mjafton. Presidenti i Republikës duhet të ketë një akt zyrtar. Nuk mjafton as ajo çka ka deklaruar Gjykata Kushtetuese që unë skam pse ti drejtohetm me shkresë njoftuese Presidentit, pasi unë këtë gjë e kam bërë me dije publikisht", u shpreh Kume.