Shembet shkolla, humbin jetën nxënësit/ Tragjedi mes rrënojash në Indonezi (VIDEO)

Një shkollë është shembur në Javan Lindore, Indonezi, ku për pasojë kanë humbur jetën tre persona dhe 99 të tjerë ndodhen nën kujdesin e mjekëve, ku disa prej tyre janë me lëndime kritike.

Nga ngjarja tragjike që tronditi vendin, të paktën 38 të tjerë, shumë prej të cilëve janë djem adoleshentë, mbetën të bllokuar nën rrënojat e shkollës Islamike.

Ata ishin mbledhur për lutje në momentin që ndërtesa u shemb. Ndërsa vajzat po luteshin në një pjesë tjetër të ndërtesës dhe arritën të shpëtonin.

Ndërtesa dykatëshe kishte një themel të paqëndrueshëm dhe nuk mund të mbante peshën e ndërtimit të dy kateve të tjera.

Pamjet në mediat lokale tregojnë pjesën e shembur të ndërtesës të zhytur plotësisht nën tokë.

Autoritetet thanë se nga rrënojat dëgjohen të qara dhe të bërtitura, ndërsa të afërm të shqetësuar kanë ngritur kamp pranë shkollës, duke pritur lajme për të dashurit e tyre.

Dhjetëra punonjës kanë kërkuar gjatë natës për të mbijetuar nën rrënoja, por puna u pezullua përkohësisht, sepse ndërtesa është në rrezik të shembjes së mëtejshme.

Nxënësit që i mbijetuan incidentit kanë rrëfyer për mediat lokale për përvojën e tyre të tmerrshme.

Nxënësi i klasës së shtatë, Muhammad Rijalul Qoib, tha se qindra njerëz ishin mbledhur për t'u lutur kur dëgjuan zhurmën e ndërtesës që binte.

Kujdestari i shkollës, KH Abdus Salam Mujib, u kërkoi falje familjeve të nxënësve, duke ia atribuar incidentin "vullnetit të Zotit". "Shpresojmë që Zoti ta zëvendësojë atë me diçka më të mirë", tha ai.

Al Khoziny është një shkollë tradicionale islamike me konvikt, në Indonezi, e njohur si “pesantren”.

Tradicionalisht, “pesantren“ përqendrohen në studimet islame, të tilla si mësimi përmendësh i Kuranit, mësimi i arabishtes dhe ligjit islamik, por tani ofrojnë edhe arsim të përgjithshëm.

Ndryshe nga shkollat ​​e rregullta, “pesantren” janë nën autoritetin e Ministrisë së Çështjeve Fetare të Indonezisë, jo të Ministrisë së Arsimit.

Megjithatë, mbikëqyrja është shpesh e kufizuar. Shumë “pesantren” veprojnë në mënyrë informale, pa rregullore të forta ose monitorim të vazhdueshëm.