Gjermania i kërkon NATO-s të marrë masa: Rusia po vë në provë vendet europiane
Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius i ka bërë thirrje NATO-s, për të dhënë një përgjigjie të vendosur ndaj provokimeve ruse që kanë ndodhur në Europë. Gjatë takimeve me disa homologë evropianë në Varshavë, ministri gjerman tha se shkeljet e fundit të hapësirës ajrore në shumë vende të BE-së treguan se, Rusia po bëhet gjithnjë e më shumë një kërcënim për NATO-n. Ndërsa Ministri i Jashtëm gjerman Wadephul, paralajmëroi për agresionin e Rusisë dhe kërkoi të jepej një zgjidhje sa më parë.
“Moska po i vë në provë aleatët e NATO-s me frekuencë dhe intensitet gjithnjë e në rritje. Presidenti rus Vladimir Putin, po përpiqet qëllimisht të minojë sigurinë evropiane dhe integritetin territorial të kombeve evropiane" tha Pistorius.
Newsworm raportoi se javët e fundit, anëtarët e NATO-s, si Polonia, Estonia dhe Rumania kanë raportuar dronë dhe avionë ushtarakë rusë që kanë hyrë në hapësirën e tyre ajrore. NATO i vlerësoi këto si provokime të qëllimshme nga Moska, ndërsa Kremlini i hodhi poshtë akuzat. Në Danimarkë, disa incidente me dronë çuan në mbylljen e përkohshme të aeroporteve.
“Këto veprime nuk janë të rastësishme, por pjesë e një modeli që synon hapësirën tonë ajrore, infrastrukturën tonë kritike dhe, në fund të fundit, gatishmërinë tonë mbrojtëse. Rusia dëshiron të testojë vendosmërinë tonë, dëshiron të nxisë trazira. Kjo është e rrezikshme dhe duhet të përgjigjet qartë dhe në unitet.” tha Ministri i Jashtëm gjerman Wadephul.
Wadephul bëri thirrje gjithashtu për mbrojtje më të forta kundër dronëve. Javën e kaluar, tetë shtete anëtare të BE-së që kufizohen me Rusinë ose Ukrainën, së bashku me Danimarkën dhe Ukrainën, zhvilluan bisedimet e tyre të para mbi planet për një mur të përbashkët mbrojtës kundër dronëve.
