Celibashi: Në Amerikë mund të vidhen zgjedhjet, ka më shumë probleme se këtu
I ftuar në emision Kafe Shqeto në Syri tv kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi ka shpjeguar edhe arsyet se perse akoma nuk janë ekzekutuar faturat e pagesave për DHL një biznes që bëri shpërndarjen e zarfeve të votës në diasporë.
Një votë kjo e kontestuar ashpër nga opozita me akuza të qarta dhe me fakte për manipulime dhe mos respektim të së drejtës së qytetarëve.
Në bisedë me moderatorin e emisionit Flavio Qarri, Celibashi është munuad të shpjegojë se si qëndron e vërteta me pagesat për DHL edhe pse nuk dha ndonjë shpjegim se si kishte mundësi që në shumë kuti që vinin nga diaspora rilindja kishte mbi 90 për qind të votave.
BISEDA
Ilirjan Celibashi: Besoj, punë ditësh, ne përfundojmë të gjithë procesin e vlerësimit të dokumentacionit. Së fundmi i bëmë një kërkesë që besoj se jeni njohur, sepse e gjithë korrespondenca e KQZ me të tretë është publike. Jemi i vetmi institucion në Republikën e Shqipërisë dhe në dijeninë time edhe më gjerë ku protokolli është publik i gjithi, konsultohet në kohë reale në faqen e internetit të KQZ dhe po thoja që mund të jeni në dijeni të komunikimit të fundit me DHL ku i kemi kërkuar që të sjellë dokumentacionin ashtu si do të duhet që ne të vendosim nëse do ti paguajmë të gjitha detyrimet, do paguajmë një pjesë, apo s’do paguajmë fare.
Flavio Qarri: Nëse ju vendosni për të mos i paguar fare, çfarë ndodh me votat dhe me ndikimin që kanë patur ato vota në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 11 majit.
Ilirjan Celibashi: Nuk është kaq e thjeshtë kjo gjë, sepse flasim për vullnet të qytetarëve se kush do ti qeverisë ata.
Flavio Qarri: Me zarfe janë vjedhur zgjedhjet në Amerikë e jo më në Shqipëri.
Ilirjan Celibashi: Në Amerikë mund të vidhen, dhe në Amerikë kë më shumë probleme se këtu për disa aspekte. Sikurse është model për shumë gjëra të tjera që duhet ndjekur. / SYRI.net

