Gjenden pas një jave kërkimesh të pa jetë muzikantët kolumbianë në Meksikë! Dyshime për lidhje me mafien
Dy muzikantët kolumbianë, të zhdukur rreth një javë më parë në kryeqytetin meksikan, u gjetën të vdekur në Cocotitlan. Rasti ka marrë përmasa diplomatike mes Bogotás dhe Meksikos.
Autoritetet meksikane konfirmuan të hënën se trupat e pajetë të dy muzikantëve kolumbianë, të zhdukur që prej 16 shtatorit, janë gjetur në qytetin Cocotitlan.
Viktimat janë Bayron Sanchez, i njohur me emrin artistik B-King, 31 vjeç, dhe Jorge Herrera, me emrin Regio Clown, 35 vjeç. Ata u panë për herë të fundit në lagjen luksoze Polanco të qytetit të Meksikos, përpara se të humbnin çdo gjurmë.
Sipas Zyrës së Prokurorit të qytetit, trupat u zbuluan më 17 shtator, por identifikimi i tyre u bë më vonë, kur familjarët e Sanchez konfirmuan identitetin e tij. Menjëherë është hapur një hetim për vrasje, ndërsa autoritetet kanë premtuar transparencë të plotë për zbardhjen e rastit.
Ngjarja ka marrë përmasa diplomatike. Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, i kërkoi publikisht homologes meksikane, Claudia Sheinbaum, të angazhohej personalisht për zbardhjen e zhdukjes. Ministria e Jashtme e Meksikës reagoi duke garantuar një hetim të thelluar. Pas konfirmimit të vdekjes, Petro deklaroi se rasti lidhet me “veprimtari kriminale ndërkombëtare”, duke fajësuar “mafinë e forcuar nga lufta kundër drogës”.
Mediat kolumbiane raportojnë se Bayron Sanchez dyshohet të ketë qenë nip i Camilo Torresit, i njohur si “Fritanga”, një prej udhëheqësve të kartelit famëkeq Klanit të Golfit.
Torres u arrestua në vitin 2012 dhe u akuzua për trafik ndërkombëtar droge në SHBA dhe Kolumbi, çka ka shtuar dyshimet se vrasja e muzikantëve mund të jetë e lidhur me rrjete kriminale transnacionale.
Hetimet pritet të shtrihen në disa pista, ndërsa ngjarja ka tronditur opinionin publik në të dy vendet, duke rikthyer në qendër të vëmendjes rreziqet që sjell përplasja e mafieve ndërkombëtare me jetën e qytetarëve të zakonshëm.

