TRUMP FITON BETEJËN NË GJYKATËN LARTË! Vendimi 6-3 i jep më shumë pushtet presidentit

Gjykata e Lartë e SHBA-së vendosi se Presidenti Donald Trump ka të drejtë të shkarkojë një zyrtar të lartë të Komisionit Federal të Tregtisë. Ky vendim sfidon një ligj të vitit 1935 dhe zgjeron kompetencat e presidentit mbi agjencitë e pavarura

Në një vendim me shumicë votash 6-3, Gjykata Lartë e Shteteve të Bashkuara miratoi të drejtën e Presidentit Donald Trump për të shkarkuar komisioneren demokrate Rebecca Slaughter nga Komisioni Federal i Tregtisë.

Vendimi shihet si një zgjerim i dukshëm i pushtetit ekzekutiv, duke lejuar presidentin të ndërhyjë më drejtpërdrejt në agjenci që tradicionalisht kanë qenë të mbrojtura nga ndërhyrja politike.

Ky akt sfidon një precedent ligjor të vitit 1935, i cili përcaktonte se komisionerët e agjencive të pavarura mund të shkarkoheshin vetëm për shkelje të rënda ose neglizhencë në detyrë. Gjykata bëri të ditur se do të rishikojë më tej këtë ligj, i cili për dekada ka qenë një bazë ligjore për ruajtjen e autonomisë institucionale.

Kundërshtimi më i fortë erdhi nga gjyqtarja Elena Kagan, e cila paralajmëroi se vendimi krijon një precedent të rrezikshëm.

“Ky hap i jep një presidenti fuqinë të largojë çdo zyrtar të agjencive të pavarura për çdo arsye ose pa arsye fare, duke cenuar balancën dypartiake dhe pavarësinë institucionale,” deklaroi ajo.

Rasti nuk ndalet vetëm te FTC. Administrata Trump ka kërkuar edhe shkarkimin e Lisa Cook, guvernatore në Rezervën Federale, të akuzuar për mashtrime hipotekare.

Cook i ka mohuar akuzat, ndërsa një gjykatë federale ka vendosur më parë në favor të saj.

Gjykata e Lartë pritet të shprehet edhe për këtë çështje në javët e ardhshme, gjë që mund të përforcojë edhe më tej kompetencat e presidentit mbi organet e pavarura.

Vendimi i fundit i Gjykatë së Lartë amerikane ka ndezur debate të ashpra në Uashington mbi kufijtë e pushtetit presidencial dhe rolin e agjencive të pavarura në ruajtjen e ekuilibrit institucional.