Droni mbi aeroportin e Kopenhagës! VIDEO-ja që po bën xhiron e rrjetit
Po bëjnë xhiron e rrjetit pamjet e asaj që policia daneze e ka cilësuar si një sulm me dron mbi aeroportin e Kopenhagës mbrëmjen e 22 shtatorit, i cili çoi në ndalimin e fluturimeve për katër orë.
Videoja është e filmuar nga një pasagjer nga dritarja e një avioni të kompanisë Norëegian.
Pamjet tregojnë një dritë jeshile që qëndron pezull në lartësi të ulët mbi aeroport. Megjithatë, pasi është xhiruar natën, videoja nuk është mjaftueshëm e qartë për të identifikuar se çfarë është ajo dritë, apo nëse bëhet fjalë për një dron. Për këtë arsye, janë kontaktuar ekspertë të mjeteve ajrore pa pilot për ta analizuar.
Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, e cilësoi ngjarjen si një “sulm serioz ndaj infrastrukturës kritike daneze”. Ajo tha se nuk mund të përjashtonte mundësinë që pas saj të qëndrojë Rusia, por nuk bëri një akuzë direkte, duke shtuar se ky incident duhet parë në kontekstin e shkeljeve të fundit të hapësirës ajrore mbi Poloni, Estoni dhe Rumani – si edhe aktivitetit të dronëve të raportuar mbi Danimarkë e Norvegji.
Sipas faqes së ndjekjes së fluturimeve Flightradar24, ndërprerja e trafikut ajror ishte e madhe: në aeroportin e Kopenhagës 51 fluturime u devijuan dhe 109 u anuluan.
