Sekretarja e Jashtme britanike: Njohja e shtetit palestinez, shtysë për veprim

Njohja e shtetit palestinez duhet të shërbejë si një “shtysë” për veprim dhe jo si një “zëvendësim” për të, deklaroi sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Cooper tha se vendimi i Britanisë së Madhe për të njohur Palestinën, një hap kryesisht simbolik i ndërmarrë  të  dielën së bashku me Kanadanë, Australinë dhe Portugalinë, pasqyron “realitetin e rëndë” se zgjidhja me dy shtete është në “rrezik të thellë.”

Ajo foli në një takim të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dje  në Nju Jork, të hapur nga presidenti francez Emmanuel Macron, i cili zyrtarisht shpalli njohjen e shtetit palestinez.

Cooper theksoi se vendimi për njohjen e Palestinës është “i lindur nga urgjenca dhe parimi” dhe se rruga e përcaktuar është “e kundërta e vizionit plot urrejtje të Hamasit”.

“Ky hap, së bashku me miq dhe partnerë, pasqyron një të vërtetë të kahershme se shtetësia është e drejtë e patjetërsueshme e popullit palestinez dhe se dy shtete janë e vetmja rrugë drejt sigurisë dhe paqes së qëndrueshme si për izraelitët, ashtu edhe për palestinezët”, shtoi   ajo.

Por kjo gjithashtu reflekton një realitet të rëndë: zgjidhja me dy shtete, e cila për dekada ka pasur mbështetje globale, është në rrezik të thellë nga gjakderdhja e vazhdueshme, uria e shkaktuar nga njeriu, terrorizmi dhe marrja peng, zgjerimi i vendbanimeve dhe dhuna e kolonëve”, nënvizoi Cooper.

“Por njohja duhet të jetë një shtysë, jo një zëvendësim për veprimin urgjent: një armëpushim tani, lirimin e të gjithë pengjeve, rikthimin e ndihmës dhe një kornizë të qëndrueshme për paqe,” përfundoi Cooper.

Tani që Britania e Madhe ka njohur zyrtarisht Palestinën, synon të përdorë Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për të shtyrë përpara mbështetjen ndërkombëtare për një kornizë paqeje në Lindjen e Mesme.

Sipas Zyrës së Jashtme, Cooper do të zhvillojë takime për të avancuar elementë të planit, përfshirë qeverisjen kalimtare dhe masat e sigurisë për të garantuar se Hamas nuk do të ketë rol në qeverisjen e ardhshme të Gazës.