'Sagrada Familia' drejt përfundimit të kullës qendrore, bëhet kisha më e lartë në Evropë
Bazilika e Sagrada Familia në Barcelonë është pranë përfundimit të kullës së saj kryesore, Kullës së Jezu Krishtit, e cila do të arrijë 172 metra lartësi dhe do ta kthejë atë në kishën më të lartë të krishterë në Evropë.
Drejtori i përgjithshëm i bazilikës, Xavier Martínez, deklaroi se ndërtimi i kullës pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2025 ose në fillim të 2026-s.
Me përfundimin e saj, ajo do të tejkalojë katedralen e Ulmit në Gjermani, e cila deri më tani ka mbajtur rekordin me 162 metra lartësi.
Kulla e Jezu Krishtit, e projektuar nga Antoni Gaudí, do të kurorëzohet nga një kryq monumental, i cili do të rrethohet nga pesë kulla të tjera – njëra e kushtuar Virgjëreshës Mari dhe katër më të vogla në nder të ungjilltarëve.
Edhe pse fasadat dhe pjesa e brendshme do të vazhdojnë të ndërtohen edhe për disa vite, menaxheri i ndërtimit Esteve Camps theksoi se synimi është që gjithë kompleksi të përfundojë brenda një dekade.
Viti i ardhshëm do të shënojë edhe 100-vjetorin e vdekjes së Gaudí-t, i cili humbi jetën në vitin 1926 pasi u godit nga një tramvaj.
Për këtë përvjetor, do të zhvillohen aktivitete përkujtimore dhe një meshë solemne më 10 qershor, ku pritet të marrë pjesë edhe Papa Leo XIV.
Sagrada Familia, ndërtimi i së cilës nisi në vitin 1882, financohet kryesisht nga donacionet dhe të ardhurat e vizitorëve.
Vetëm në vitin 2024, ajo priti 4.9 milionë vizitorë, duke e bërë një nga monumentet më të vizituara në botë.
