Zelensky: Javë e ngarkuar diplomatike në OKB
Ukraina përballet me një javë intensive diplomacie ndërkombëtare, ndërsa hapet nesër Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, njoftoi presidenti Volodymyr Zelensky.
Në fjalimin e tij dje në mbrëmje, Zelensky tha se ka planifikuar dhjetëra takime me liderë botërorë.
“Ne mund të arrijmë shumë nëse partnerët tanë na dëgjojnë dhe mbështesin propozimet që vërtet kontribuojnë në përfundimin e luftës”, theksoi ai.
Presidenti ukrainas shtoi se është planifikuar edhe një takim me presidentin amerikan Donald Trump, pa dhënë një datë të saktë.
Zelensky gjithashtu foli për paketën më të fundit të sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë.
“Masat synojnë të rrisin presionin mbi naftën ruse dhe të kufizojnë tregtinë me burimet energjetike të Moskës, duke goditur arkën e luftës së saj”, tha ai .
Komisioni Evropian propozoi të premten sanksione të reja ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës. Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, njoftoi gjithashtu se Brukseli synon të përparojë me një vit afatin për ndalimin e plotë të importeve të gazit rus, duke e vendosur atë në fillim të vitit 2027, një vit më herët se plani fillestar.

