E RËNDË NË AFGANISTAN/ Qeveria talebane heq librat e shkruar nga gratë nga sistemi universitar
Masat e qeverisë talebane kundër grave dhe arsimimit të tyre kanë arritur në një nivel të ri, sipas “adnkronos”.
Duke filluar nga fundi i gushtit 2025, autoritetet afgane vendosën të hiqnin librat e shkruar nga gratë nga kurrikulat universitare, një veprim që është pjesë e një sërë kufizimesh më të gjera që prekin gjysmën e popullsisë, gratë.
Lajmi u bë i ditur në fillim të vitit akademik, kur një direktivë iu dërgua universiteteve të vendit – si pjesë e një dekreti arsimor që gjithashtu ndalon kurset që konsiderohen në konflikt me Sheriatin Islamik.
Një anëtar i komitetit të rishikimit të teksteve shkollore konfirmoi se të gjitha librat e shkruar nga gratë nuk do te lejoheshin të mësoheshin.
Masa u nënshkrua nga zëvendësministri i Arsimit të Lartë taleban, Ziaur Rahman Aryoubi, pas vendimeve të marra nga një panel “studiuesish dhe ekspertësh fetarë”.
Universitetet u udhëzuan të zëvendësonin librat e ndaluar me materiale mësimore që nuk binin ndesh me Islamin.
Numri i censurës është masiv, të paktën 679 tituj janë ndaluar, të konsideruar “anti-Sheriat dhe në kundërshtim me politikat talebane.
Nga këto, afërsisht 140 libra janë shkruar nga gratë. Librat e prekur mbulojnë çdo fushë studimi, duke përfshirë tekste mbi të drejtën kushtetuese, lëvizjet politike islamike dhe sistemin politik, si dhe tema kyçe si të drejtat e njeriut, studimet e grave dhe mendimi politik perëndimor.
Për më tepër, janë ndaluar 18 lëndë universitare, gjashtë prej të cilave kanë të bëjnë kryesisht me gratë, siç janë “Gjinia dhe Zhvillimi”, “Roli i Grave në Komunikim” dhe “Sociologjia e Grave”.

