Allegri, pa Leaon në ndeshjen e Kupës: Do ta vlerësojmë për Napolin

Milani ka hyrë në një periudhë pozitive pas fitoreve ndaj Lecce-s, Bologna-s dhe Udinese-s, duke lënë pas humbjen e hidhur në debutim kundër Cremonese-s.

Sfida e radhës, ajo e Coppa Italia kundër Lecce-s që do të luhet nesër mbrëma, shihet si një test i rëndësishëm për të kuptuar gjendjen e skuadrës së drejtuar nga Massimiliano Allegri.

Trajneri kuqezi do ta ndjekë ndeshjen nga tribuna, pasi duhet të shlyejë ndeshjen e dytë të pezullimit të marrë që në kohën kur ishte te Juventusi.

“Është një garë ndryshe nga kampionati, sepse është ndeshje direkte pa shtesa.

Nuk duhet ta lëmë të shkojë te penalltitë, sepse janë lotari. Duhet qasje e duhur, fitorja nuk është kurrë e lehtë”, tha Allegri për SportMediaset.

Ai la të kuptohet se do t’u japë hapësirë lojtarëve me më pak minuta në këmbë, por theksoi se mungesa e Rafael Leao-s do të ndihet sërish: “Nkunku po përmirësohet dhe mund të nisë që nga fillimi.

Nesër është rast i mirë për ata që kanë luajtur më pak, por edhe një mundësi për të kaluar më tej. Rikthimin e Leao-s nuk e shohim për nesër.

Do ta vlerësojmë të enjten dhe të premten për të kuptuar nëse do të jetë gati për ndeshjen me Napolin”.

Milani kërkon jo vetëm kalimin e turit në kupë, por edhe vazhdimësinë e rezultateve pozitive në prag të sfidave të vështira që e presin në kampionat.