LËVIZ MESFUSHA E BARCELONËS/ Gavi mbetet sërish jashtë fushe, dëmtohet në gju
Barcelona do të jetë në fushë sërish pa Gavin në mesfushë. Lojtari do ti nënshtrohet një ndërhyrje në gju pas dëmtimit që pësoi në një seancë stërvitore
Barcelona ka konfirmuar se mesfushori spanjoll Gavi do t’i nënshtrohet të martën, një ndërhyrje kirurgjikale në gjurin e djathtë. Vendimi u mor pas një konsulte mes lojtarit, stafit mjekësor dhe trajnerit Hansi Flick, pasi trajtimi konservator nuk dha rezultatet e pritshme.
21-vjeçari u dëmtua më 29 gusht gjatë një seance stërvitore, në një aksion individual. Fillimisht u mendua se nuk ishte një dëmtim serioz, megjithëse bëhej fjalë për të njëjtin gju ku në nëntor 2023 pësoi një demtim të ligamentit, që e mbajti jashtë fushave për gati një vit.
Analizat e fundit treguan një lezion radial të meniskut të brendshëm, gjë që ka kërkuar kujdes të shtuar.
Meqë përparimi ishte i ngadaltë, palët vendosën se një ndërhyrje e lehtë kirurgjikale ishte rruga më e sigurt.
Artroskopia është më pak invazive se operacionet klasike dhe lejon kohë më të shpejtë rikuperimi. Ndërhyrja do të kryhet nga mjeku Joan Carles Monllau, nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor të Barcelonës.
Gavi ka marrë pjesë në dy ndeshjet e para të sezonit, kundër Mallorcas dhe Levantes, pa qenë titullar. Në 66 minutat e luajtura, ai dha një asist.
Pas operacionit, Barcelona pritet të publikojë një tjetër komunikatë për të sqaruar kohën e mungesës së tij.

