MAROTTA MBRON TRAJNERIN/ Inter paralajmëron: Nëse nuk japin San Siron, ndërtojmë stadium të ri

President i Interit ka marrë në mbrojtje trajnerin pas një nisje të keqe në kampionat. Për këtë ka shfrytëzuar fitoren me Sassuolon ndërsa shton se gjetja e një tekniku të ri do të sjellë edhe më shumë probleme

Dy fitore dhe dy humbje në katër javët e para për interin kanë sjellë tensione të mëdha. madje nuk mungojnë as zërat për të larguar trajnerin dhe gjetjen e një tjetër tekniku.

Megjithatë, fitorja ndaj Sassuolos ka rikthyer qetësinë në kampin zikaltër pas dy humbjeve radhazi.

Presidenti i Interit, Beppe Marotta, kërkon durim nga tifozët, duke theksuar se kampionati është ende në fazat e para dhe se ndryshimi i trajnerit sjell vështirësi të natyrshme.

“Jemi të bindur se kultura e punës dhe vlerat e skuadrës do të na rikthejnë aty ku duam të jemi. Jemi krenarë që kemi promovuar Chivun dhe Pio Espositon, si shembull i besimit tek të rinjtë”, deklaroi ai për Radio Anch’io Sport.

Marotta iu rikthye edhe temës më të nxehtë për tifozët e Interit dhe Milanit: stadiumi i ri.

Ai paralajmëroi se Milano po rrezikon të humbasë rëndësinë në futbollin europian, pasi San Siro nuk është më në gjendje të presë finale madhore.

“Është një strukturë e vjetëruar që ka nevojë për ndërhyrje të vazhdueshme. San Siro përfaqëson histori e emocione, por duhet parë përpara. Ëembley u rrënua dhe u rindërtua, edhe ne kemi nevojë për një hap të tillë”, tha ai.

Presidenti zikaltër theksoi se stadiumi i ri është një investim privat i dy klubeve dhe nuk do të shpenzohet asnjë euro nga paratë publike. Ai paralajmëroi se nëse pengesat politike vazhdojnë në Milano, mund të kërkohet një alternativë jashtë qytetit.

“Në Europë janë ndërtuar 153 stadiume në dhjetë vitet e fundit, në Itali vetëm tre janë ristrukturuar. Ky është një hendek i madh që na penalizon në konkurrueshmëri. Ne duam të qëndrojmë në Milano, por nëse nuk është e mundur, do të shohim për zgjidhje jashtë”, përfundoi Marotta.