INTER-SASUOLO/ Shpërthen festa në “San Siro”, Dimarko gjen rrugën e rrjetës

Pas buzëqeshjes së rikthyer me fitoren ndaj Ajaksit në Champions League, Interi i Kristian Kivusë, zhvendos vëmendjen te kampionati. Në orën 20:45, zikaltërit presin në “San Siro” Sasuolon e Fabio Grosos, në një përballje ku, pavarësisht objektivave të ndryshëm, të dyja skuadrat ndajnë të njëjtin bilanc pas tre javëve të para: tre pikë secila.

Skuadra e Kivut ka kaluar një fillim sezoni me ulje-ngritje: sukses i thellë ndaj Torinos në hapje, e ndjekur më pas nga dy humbje radhazi me Udinezen dhe Juventusin.

Sot, Markus Turam dhe shokët e tij do të kërkojnë siguri dhe vazhdimësi para tifozëve të tyre. Në formacion bie në sy debutimi në “San Siro” i Pio Espositos si titullar, i cili do të luajë në krah të Turamit në sulm.

Në portë, minuta të para sezonale për Josep Martinez, ndërsa në mbrojtje do të vendosen Akazhi, Açerbi dhe Karlos Augusto. Mesfusha do të udhëhiqet nga Suçiç me mbështetjen e Çalhanoglu dhe Barelës, kurse krahët do të mbulohen nga Dumfris e Dimarko.

Fabio Groso, nga ana tjetër, mbështetet te tridenti i konsoliduar Berardi–Pinamonti–Lauriente, ndërsa në mesfushë do të luajnë Vranckx, Matiç dhe Kone. Mbrojtja para portierit Muriç do të përbëhet nga Koulibali, Idzes, Muharemoviç dhe Doig.

Një sfidë e hapur që pritet të tregojë shumë mbi ecurinë e të dyja skuadrave: Interi synon kthesën dhe qetësinë, ndërsa Sasuolo kërkon të provojë forcën e vet përballë një rivali me emër në arenën europiane.