Kategoria Superiore/ Egnatia 'fundos' Tiranën, Elbasani fiton ndaj Partizanit dhe marshon në krye

Në një fundjavë dramatike për futbollin kryeqytetas, Tirana dhe Partizani u mposhtën në sfidat e tyre, duke treguar se historia dhe emri i madh nuk janë gjithmonë garant për sukses.

Egnatia shkëlqeu ndaj Tiranës në një ndeshje të tensionuar, duke triumfuar 2-0 në Rrogozhinë.

Goli i parë erdhi në minutën e 28’, kur Vogli nuk mundi të mposhtte portierin Dajsinani dhe kundërsulmi i shpejtë i Egnatias u finalizua me rrjetë nga Buriç.

Vetëm pak minuta pas rifillimit, Albanese shënoi golin e dytë spektakolar, duke lëshuar një gjuajtje nga 25 metra që befason portierin Tafas.

Tirana përfundoi ndeshjen me 10 lojtarë pas përjashtimit të Markut në minutën e 86-të.

Me këtë fitore, Egnatia ngjitet në vendin e dytë me 7 pikë, ndërsa Tirana mbetet në krizë të thellë, e fundit me vetëm 2 pikë.

Ndërkohë, Partizani u befasua nga Elbasani, që fitoi 1-0 në kryeqytet.

Golin e vetëm e realizoi Bunjaku në minutën e 36’, pas asistit të Qoses.

Partizani mbeti me 10 lojtarë në minutën e 59’, pas ndëshkimit me të kuq të Alban Bytyçit.

Me këtë fitore, Elbasani ‘blindon’ vendin e parë me 10 pikë, ndërsa Partizani qëndron në mes të tabelës me 5 pikë.