Marc Guehi ‘tradhton’ Liverpool-in, zgjedh të transferohet te gjiganti spanjoll
Mbrojtësi i Crystal Palace, Marc Guehi, ua ka bërë të qartë përfaqësuesve të tij se dëshiron të bashkohet me Real Madridin, duke u dhënë fund dilemave mbi të ardhmen e tij.
Ky hap vjen pas dështimit të kalimit te Liverpooli më 1 shtator, kur një marrëveshje prej 35 milionëpaundësh u prish në momentet e fundit, pasi Palace nuk arriti të siguronte një zëvendësues.
Sipas ‘Mirror Sport’, 25-vjeçari anglez, i cili i ka përballuar me qetësi spekulimet e fundit, e sheh si hapin ideal kalimin në “Santiago Bernabéu”.
Duke qenë se kontrata e tij me Palace skadon verën e ardhshme, Real Madrid ka mundësinë ta sigurojë me paramarrëveshje që në janar, pa paguar asnjë tarifë transferimi.
Zgjedhja e Guehi-t për të refuzuar Liverpool-in në favor të madrilenëve ka ngjallur entuziazëm në kampin “Los Blancos”, të cilët ndërkohë kanë në radar edhe Ibrahima Konaté nga “The Reds”, mbrojtës që ka hedhur poshtë një ofertë për rinovim kontrate.
Nëse të dyja këto operacione marrin dritën jeshile, Real Madridi jo vetëm do të forconte mbrojtjen, por gjithashtu do t’i shkaktonte një goditje të dyfishtë Liverpool-it, duke rrëmbyer dy objektiva të rëndësishëm në prapavijë.
