Reagimi - Ronaldo shpërthen në mbrojtje të Felix-it: Idiotët nuk kuptojnë asgjë nga futbolli

Cristiano Ronaldo ka reaguar ashpër ndaj kritikëve që vunë në pikëpyetje vendimin e João Felix për t’u transferuar nga Chelsea te Al Nassr në Arabinë Saudite. Pas një episodi në një podcast portugez ku u diskutua largimi i parakohshëm i Felix nga futbolli evropian, Ronaldo e quajti “idiotë” ata që “nuk kuptojnë asgjë nga futbolli, por prapë japin mendime”. Komenti i tij në Instagram u fshi më vonë, por shkaktoi jehonë të madhe.

Felix iu bashkua Al Nassr këtë verë për 45 milionë paundë dhe ka nënshkruar kontratë dyvjeçare. Ai ka bërë një nisje të shkëlqyer, me katër gola në pesë ndeshje, përfshirë një tregolësh në debutim kundër Al Taawoun. 25-vjeçari ka pranuar se ndikimi i Ronaldos ishte vendimtar për këtë hap, duke e cilësuar atë si pjesë të një projekti të madh që po zhvillohet në Arabinë Saudite.

Ronaldo, që luan për Al Nassr që nga janari 2023, ka shënuar 95 gola në 109 paraqitje dhe ka fituar dy “Këpucë të Arta” radhazi. Ai gjithashtu zgjati kontratën deri në vitin 2027, kur do të jetë mbi 42 vjeç.

Ndërkohë, Felix ka theksuar se liga saudite po rritet çdo vit me afrimin e lojtarëve të rinj cilësorë. Synimi i tij është të ndihmojë skuadrën të fitojë tituj, duke dhënë gola dhe asistime, por mbi të gjitha duke kontribuar për suksesin kolektiv. Forma e tij e mirë i solli edhe një rikthim në kombëtaren e Portugalisë, ku shënoi dy gola në fitoren 5-0 ndaj Armenisë.