Supergol nga Militão, shënon edhe Mbappe, Reali fiton ndaj Espanyolit dhe kryeson La Ligan me pikë të plota

Pesë ndeshje, 15 pikë të plota për Real Madridin në këtë fillim sezoni në La Liga.

Skuadra madrilene mposhti 2-0 Espanyolin në ‘Bernabeu’.

Me Xabo Alonson që shënon thjesht një start perfekt. 

Real Madridi ka kaluar në avantazh falë një goli spektakolar të Éder Militão-s në minutën e 20-të të sfidës ndaj Espanyolit në “Santiago Bernabéu”.

Mbrojtësi brazilian, i njohur më shumë për punën e tij në prapavijë sesa për golat, befasoi të gjithë me një goditje të fuqishme nga mbi 30 metra.

Pasi mori topin në gjysmën e kundërshtarit, Militão e çoi përpara dhe lëshoi një predhë me të djathtën që përfundoi në trekëndëshin e portës së Marko Dmitrović, duke mos i lënë atij asnjë mundësi reagimi.

Ky ishte goli i tij i parë pas gati një viti.

Militão nuk shënonte që nga 29 shtatori 2024, në derbin kundër Atlético Madridit, ndërsa sezonin e kaluar e humbi kryesisht për shkak të dëmtimit.

Një realizim i jashtëzakonshëm, që jo vetëm i dha avantazhin madrilenëve në javën e pestë të La Ligës, por që pritet të konkurrojë seriozisht për golin më të bukur të javës – ndoshta edhe të sezonit.

Në pjesën e dytë shënoi edhe Mbappe me francezin që konfirmon formën fantastike që po kalon.