Murati: Besojmë në pafajësinë e luftëtarëve të UÇK-së
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se besojnë në pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Ai tha se shpresojnë që Gjykata Speciale do të nxjerrë verdikt lirues për ish-presidentin, Hashim Thaçi, ish-kryekuvendarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefin e grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi, të cilët po akuzohen nga Specialja për “krime lufte”.
“Lëvizja Vetëvendosje ka qenë konsistente përgjatë gjithë kohës sa i përket Gjykatës Speciale. Ne e kemi kundërshtuar që në fillim një gjykatë e cila gjykon mono-etnikisht – pra vetëm një etni. Kemi qenë kundër që të bëhet një proces i tillë.
Kjo është dëshmuar edhe gjatë procesit të votimit të asaj kohe, ku kemi kundërshtuar dhe refuzuar.
Sot po e shohim se problemet ekzistojnë dhe se nuk qëndron ajo që na është thënë atëherë – që do të bëhet vetëm një gjykim dhe pastrim i imazhit të luftës çlirimtare.
Ne shpresojmë, besojmë dhe urojmë në pafajësinë që gjykata të nxjerrë verdiktin e pafajësisë për ata që po gjykohen atje… Ne besojmë në pafajësinë e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Murati, pasi u pyet nga KosovaPress lidhur me dëshminë e ish-ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin.
Në konferencën për media pas mbledhjes së qeverisë të premten, Murati nuk dha përgjigje konkrete kur u pyet se pse nuk po reagojnë për trajtimin që Specialja po iu bën Thaçit dhe të tjerëve.
“Ne e kemi kundërshtuar kur ka qenë koha, kur është votuar në Kuvend. Kemi bërë lutje, kërkesa dhe ka fjalime të panumërta që si opozitë kishim paralajmëruar këto që po ndodhin. Prandaj, kundërshtimi është bërë kur ka qenë koha dhe nevoja.
Atëherë ne jemi quajtur si persona që po duam të bëjmë pengesa dhe jemi kundër shtetit të Kosovës”, tha ai. /KosovaPress/

