Rama: Lehtësuam vizat e punës, zyrtarë në Ministrinë e Brendshme zvarrisnin procesin

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se edhe pse qeveria lehtësoi procedurat për lejet e qëndrimit dhe të punës, zyrtarë të Ministrisë së Brendshme vazhdonin ta zvarritnin procesin.

Gjatë prezantimit të ministres së Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, kryeministri Rama u ndal te problematikat e ndeshura në disa fusha që mbulon kjo ministri.

“Edhe pse u realizua një proces i tërë për të lehtësuar lejet e qëndrimit dhe të punës – edhe nën presionin pozitiv të sipërmarrjes – mbasi kemi miratuar gjithë procesin dhe kemi shkruar e zeza mbi të bardhë se mjaftojnë 7 ditë për të dhënë një lejë qëndrimi dhe pune, që të vinte lajmi në këtë ministri ishte njësoj sikur ai legjislacion të ishte nisur nga një pëllumb, me ligjin dhe VKM-në përkatëse të lidhura me spango te këmba e pëllumbit që ishte nisur nga Kruja për të shkuar në Portën e Lartë. Ndërkohë, ca personazhe të çuditshëm shefash në këtë strukturë vazhdonin me histori zvarritjesh që janë për librat e Franc Kafkës”, tha Rama.

Sipas tij, “ky është një tjetër shembull konkret për të ilustruar se Ministria e Brendshme jeton në një zonë tjetër orare, dhe se kjo nuk është një metaforë”.

“Nëse për Shqipërinë sot ora është 1:30 pas dreke e 19 shtatorit 2025, për Ministrinë e Brendshme është 1:30 e natës e nëntorit 2001”, tha Rama.

Problematika sipas tij, ka akoma edhe Gjendja Civile, apo standardet e shërbimit të kompanive private të sigurisë.

“Ato çetat e bajraktarëve të dikurshëm që i kemi lexuar nëpër libra, sot vazhdojnë të jenë në realitetin shqiptar, por quhen kompani private sigurie”, tha Rama.

Kryeministri tërhoqi vëmendjen po ashtu edhe për policinë shkencore, e cila është ende e painvestuar siç duhet.