Ivi Kaso hedh propozimin në Grupin e PD-së: Të nisim procedurat për shkarkimin e Presidentit Begaj

Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, ka deklaruar se seanca e fundit parlamentare, ku u betuan ministrat e rinj të kabinetit qeveritar, ishte një veprim i paramenduar dhe i ndërtuar sipas një skenari të qartë politik nga Kryeministri Edi Rama.

Në një mbledhje me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të PD-së, Kaso tha se mesazhet e para të Ramës në sallë, brenda tre minutave të hapjes së seancës, paralajmëruan zhvillimet që do pasonin.

Nga diskutimet brenda grupit të siguruara nga gazetari Osman Stafa, Ivi Kaso ka hedhur edhe idenë e nisjes së procedurave për shkarkimin e Presidentit, Bajram Begaj, pasi sipas tij ai është strumbullari i sencës së tensionuar.

Ivi Kaso: Seancën e sotme Rama e kishte të paramenduar. Mesazhet e shkurtra të tij në 3 min e para, ishin mesazhe që paralajmëronin çfarë do ndodhte. Pastaj nxori Diellën për provokim. Ishte me skenar e gjitha. Mesazhi ishte i qartë i Ramës: Unë nuk pyes për parlamentin dhe për asnjeri. Kësaj situate sigurisht që duhet t’i përgjigjemi me një reagim, por reagimi nuk duhet të jetë emocional. Një protestë e vogël dhe e organizuar shpejt, një protestë pa fuqi më shumë na dëmton sesa na jep njëfarë avantazhi në raport me atë çfarë presin njerëzit dhe në raport me gravitetin e situatës. Një protestë e vogël do përdorej nga Rama dhe do demoralizonte njerëz.

Mirë do ishte që të ndërthureshin një sër gjestesh, edhe gjeste politike siç është kërkesa për përsëritjen e seancës, siç është edhe mocioni i shkarkimit të Peleshit. Një ide tjetër mund të jetë edhe nisja e procedurës për shkarkim e Presidentit, pasi Rama duke përdorur atë ka prishur balancat e pushtetit. Strumbullari i seancës së sotme është Bajram Begaj, me dekretimin që i bëri Diellës, të cilën ia la nën përgjegjësi Ramës. Prandaj ne duhet t’i japim një mesazh atij se nuk do e tolerojmë më. Roli i Presidentit sot nuk është respektim i Kushtetutës, por zgjatim i Kryeministrit. Ta nisim procedurën për shkarkimin e Presidentit, siç e parashikon edhe Kushtetuta, dhe ne i kemi numrat prej 35 deputetësh.