Diskutimet në Grupin e PD-së, Zhupa: T’i drejtohemi Kushtetueses me dy kërkesa, të mos lëmë asnjë hapësirë boshe
Mendimet gjatë diskutimeve të djeshme në Grupin parlamentar të Partisë Demokratike, pas seancës së tensionuar në Kuvend ku mazhoranca e mbylli me votimin rekord në 25 minuta të programit të qeverisë “Rama 4” dhe kabinetit qeveritar, kanë qenë nga më të ndryshmet.
Deputetja Ina Zhupa theksoi se opozita nuk duhet të lërë asnjë hapësirë bosh në Parlament, sikurse ishte vendimi i mëhershëm që ata kishin marrë, por të vijohej edhe me dy kërkesa në Kushtetuese. Ligjvënësja theksoi se grupi i PD mbrojti dinjitetin e Kuvendit me reagimet që u bënë në sallë.
“Para një jave kryesia e partisë dhe grupi kemi marrë vendim për të mos lënë asnjë hapësirë institucionale të pashfrytëzuar në përballjen me Ramën. Do duhet edhe në këtë rast t’i qëndrojmë vendimit të marrë dhe të shfrytëzojmë hapësirat institucionale. Ne nuk kishim asnjë skenar për ta prishur seancën, ne ishim aty për të folur për interesin publik, të gjithë ishin përgatitur, por u reagua në mbrojtje të dinjitetit të Parlamentit. Por nëse i mëshojmë idesë që po dëgjoj këtu se meqënëse Rama na pamundësoi seancën me të rëndësishme, ne tani të vazhdojmë me skenarin që pamundësojmë seancat, apo të përshkallëzojmë situatën, do të duket sikur nisim të njëjtën rrugë që kemi bërë më parë, edhe njerëzit mund të mendojnë që edhe kjo sot ishte pjesë e skenarit tonë për atë rrugë, dhe jo arroganca e pushtetit”, tha ajo mes të tjerash.
Zhupa bëri edhe sugjerime konkrete për aksionin opozitar të mëtejshëm pas seancës që grupi i PD e cilësuan skandaloze dhe në shkelje të Kushtetutës.
“Ndaj sugjeroj të niset me kërkesën për ta kthyer parlamentin në ligjshmëri, duke anuluar këtë seancë të jashtëligjshme dhe ribërjen e saj sipas rregullave. Të çojmë sa më shpejt dy kërkesa pasdite në Kushtetuese për dekretin e Begajt dhe atë për ndryshimin e rregullores. Edhe seancën e ardhshme duhet të jemi të përgatitur për të kërkuar fjalën sipas rregullores dhe për të bërë demaskim të plotë të shkeljeve dhe për të pasur mundësi më pas të mbrojmë interesin e qytetarëve”, përfundoi deputetja.
Në mbledhje ka folur edhe deputeti Ramadan Lika, që vuri theksin te aksioni opozitar dhe farsa elektorale e 11 majit. Ai tha se opozita edhe nuk i njeh zgjedhjet, edhe hyn në Parlament, teksa sugjeroi dorëzimin e mandateve njëherësh dhe ndjekjen e një rruge pa kthim, deri në ikjen e Ramës.
“Doktor, Rama na ka bërë favor ditën e sotme. Ju doktor keni 3 muaj që flisni për farsën elektorale, megjithatë Kryesia u mblodh dhe vendosi që ne të hyjmë në Kuvend. Është non sens, edhe nuk i njohim zgjedhjet, edhe shkojmë në parlament. Media dhe elektorati na u vërsulën për këtë gjë. Por sot Rama na ka bërë një favor të madh. Tani ne duhet t’i drejtohemi elektoratit, ose të dorëzojmë mandatet, ose të gjithë bashkë, ne dhe mbështetësit tanë, t’i hyjmë një rruge të pa kthim, deri në ikjen e Edi Ramës. Unë këtu nuk jam për rrogën e deputetit. Unë jam i mendimit që për ne të vendosë elektoratit”.
