Tritoli ndaj Xhelal Mziut, Berisha: Është iluzion të besosh se policia do të zbardhë krimin politik
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, komentoi sot ngjarjen e rëndë që ndodhi në banesën e deputetit demokrat Xhelal Mziu, e cila u sulmua me tritol.
Gjatë një konference për media, Berisha u shpreh se policia është “thellësisht dhe tmerrësisht e politizuar” dhe se besimi se ajo mund të zbardhë krimin politik është një “iluzion”.
Ai rikujtoi një ngjarje të mëparshme ku, sipas tij, një zyrë elektorale e PS në Pekisht u kap duke kryer manipulime me fletëvotime dhe dokumentacion të ndryshëm, por polici që ndërhyri u ndëshkua.
“Së pari me një ndjesë për këtë shtytje të detyruar të konferencës për shkak, e kuptoni vetë, të një trafiku të pashembult që ekziston në rrugët e Tiranës. Dhe zoti Mziu, që është nisur me kohë për të ardhur në këtë konferencë, iu desh trefishi i kohës.
Sot unë jam këtu me deputetin Xhelal Mziu për të denoncuar një akt terrorizmi shtetëror ndaj deputetit dhe familjes së tij.
Banesa e deputetit Xhelal Mziu, duke qenë brenda në banesë, është sulmuar me tritol nga banditë shtetërore. Bandat janë sot pronë totale e shtetit.
Masa e eksplozivit ka qenë e konsiderueshme dhe ka krijuar dëme edhe në zonën përreth. Ky akt vjen pas qëndrimit të djeshëm antikushtetues të kreut të organizatës kriminale ndaj parlamentit dhe opozitës. Ky akt ka vetëm një synim, të mbyllë gojën e opozitarëve. Për të gjitha këto, e garantoj Edi Ramën se do mbajë përgjegjësi maksimale.
Po u rikujtoj këtu, i nderuar zotëri, dhe qytetarëve se kohë më parë, kur unë paraqita rastin e zyrës elektorale sekrete të PS në qendrën e votimit në Pekisht, polici që bëri detyrën u ndëshkua nga Proda i krimit. U ndëshkua!”, tha Berisha, duke shtuar se kjo tregon se segmentet e policisë nuk janë të besueshme për të zbardhur krimet politike.
Keni parasysh se policia është thellësisht dhe tmerrësisht e politizuar. Po u rikujtoj këtu, i nderuar zotëri, dhe qytetarëve se kohë më parë, kur unë paraqita para jush rastin e zyrës elektorale sekrete të PS në qendrën e votimit në Pekisht, në të cilën u gjetën fletë votimi, paund, lekë, karta identiteti, u gjet i gjithë dokumentacioni, polici, i cili bëri detyrën dhe mori në procedim pronarin e barit, u ndëshkua nga Proda i krimit.
Unë nuk mund të them se çdo segment i policisë është i infiltruar nga krimi, por të besosh se do e zbardhë, do e pranojë të zbardhin krimin politik policia, është një iluzion.
