Nuk u bë pjesë e asnjë grupi parlamentar, Doda sqaron pozicionin politik në Kuvend: Jam pjesë e opozitës, e koordinuar me PD për çdo aksion
Deputetja e PDIU, Mesila Doda ka reaguar në rrjetet sociale pas diskutimeve të shumta që janë ngritur në lidhje me pozicionimin e saj politik në Kuvendin e ri.
Me anë të një postimi në Facebook, ajo ka theksuar se mbetet pjesë e opozitës, edhe pse nuk është regjistruar në tre grupet parlamentare të opozitës.
Doda sqaron se është zgjedhur si deputete e PDIU-së në kuadër të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” dhe se për shkak të pamundësisë për të krijuar një grup të veçantë parlamentar për PDIU-në, ka zgjedhur të mos bëhet pjesë e asnjë grupi ekzistues.
“Jam pjesë e opozitës duke ruajtur identitetin e forcës politike që përfaqësoj. Nëse do të kishte një grup të përbashkët opozitar, padyshim do isha pjesë e tij”, shkruan ajo.
Deputetja shton se ka qenë dhe vijon të jetë në koordinim të plotë me kryetarin e grupit të Partisë Demokratike për çdo aksion dhe qëndrim politik opozitar.
