BARCELONA JASHTË STADIUMIT! “Camp Nou” mbetet ende pa licencë, UEFA kushte për Champions-in
Barcelona rrezikon të mos e luajë në “Camp Nou” përballjen me PSG të vlefshme për Champions League. Shkak është vënë kushti i UEFA-s për kapacitetet e nevojshme, ndërsa ekipi ende nuk ka licencën për hapjen e plotë të stadiumit
Barcelona po punon me ritëm të lartë për të përfunduar sa më shpejt rikonstruksionin e Camp Nou, me synimin për të rikthyer ndeshjet në stadiumin historik. Megjithatë, pasiguritë mbeten të mëdha.
Klubi shpreson të marrë në orët e ardhshme licencën e “Primera Ocupación”, e cila do t’i lejonte të luante fundjavën e ardhshme kundër Getafes në Camp Nou.
Por ndërsa afati po mbyllet, gjithçka tregon se ndeshja do të zhvillohet sërish në stadiumin Johan Cruyff, ashtu si edhe ndaj Valencias, pasi opsioni Montjuïc është i papranueshëm për shkak të gjendjes së fushës.
Shpresa është që në shtëpi të luhet sfida e radhës në kampionat, ndaj Real Sociedad, duke konsideruar se një javë shtesë mund të mjaftojë për të marrë licencën e nevojshme.
Ky hap është vendimtar edhe për Champions League: më 1 tetor Barcelona pret PSG-në dhe UEFA kërkon që stadiumi të testohet në një ndeshje zyrtare përpara se të japë miratimin për kompeticionin kontinental.
Problemi kryesor lidhet me kapacitetin: UEFA kërkon hapjen e të dyja anësoreve të stadiumit, ndërsa Barça ka planifikuar të hapë vetëm tribunën kryesore, duke ofruar 27 mijë vende. Nëse nuk respektohet kjo kërkesë, lind rreziku për refuzimin e fushës.
Klubi katalanas synon të kërkojë leje për të zhvilluar fazën e grupeve në dy stadiume, diçka që shkon kundër rregullores, por që Barça e konsideron si “rast force majeure”. Nëse kjo nuk miratohet, atëherë alternativa mbetet Montjuïc, ku është rezervuar kalendari deri në shkurt.

