Në Spanjë e quajnë të gjithë “mrekulli”, Bellingam rikuperohet një muaj para kohe

Lista e Real Madrid për ndeshjen e parë të këtij edicioni në Ligën e Kampioneve, përballë Olimpikut të Marsejës, ka lënë të gjithë të befasuar. Kjo, pasi në listë ishte jo vetëm emri i Kamavinga të rikuperuar nga dëmtimi, por edhe i Xhud Bellingam.

Ky i fundit ishte operuar para 61 ditësh në shpatullën e majtë dhe pritej të qëndronte për të paktën tre muaj jashtë fushave të lojës. Me pak fjalë, anglezi pritej në fushë vetëm në gjysmën e tetorit. Por ai ka përshpejtuar gjithçka me ritëm mbresëlënës dhe në vend të 90 ditëve, ato u bënë vetëm 60, duke e kthyer këtë në një mrekulli të mirëfilltë.

Ai do të jetë në listën e skuadrës dhe pritet të fillojë të stërvitet me të. Por pak mundësi ka qe të zbresë në fushën e lojës, të paktën jo nga minuta e parë, pasi për momentin duket e pamundur që ai të jetë gati për kontaktet fizike të intensitetit të lartë.

Megjithatë, gatishmëria dhe dëshira e tij për të qenë sa më parë nën urdhrat e Çabi Alonsos, tregojnë edhe një herë se sa shumë duan lojtarët që të lënë pas zhgënjimin e vitit të kaluar dhe të kthehen përsëri triumfues.

Portierë: Kurtua, Lunin, Fran Gonzalez

Mbrojtës: Karvahal, Aleksander-Arnold, Militao, Hausen, Alaba, Asensio, Karreras, Fran Garsia

Mesfushorë: Tçuameni, Valverde, Gyler, Kamavinga, Bellingam, Sebajos

Sulmues: Mbape, Vinicius, Mastantuono, Rodrigo, Brahim, Gonzalo