Napoli përballet me City-n, kthimi në Champions dhe sfida e De Bruyne ndaj së shkuarës
Pas më shumë se një viti mungesë, Napoli rikthehet në Champions League.
Ndeshja e fundit daton më 12 mars 2024, kur nën drejtimin e Calzona-s u eliminua nga Barcelona pas humbjes 3-1 në “Camp Nou”.
Tani, me Antonio Conten në stol dhe me një skuadër të rinovuar, të kaltrit zbarkojnë menjëherë në një sfidë të madhe: përballë Manchester City-t të Haaland, në “Etihad”.
Detaj i veçantë i mbrëmjes do të jetë rikthimi i Kevin De Bruyne kundër ish-skuadrës së tij.
Belgu, që me fanellën e City-t ka koleksionuar 422 paraqitje, 108 gola dhe një Champions të fituar më 2023, tashmë është një nga emrat historikë të klubit. Guardiola e kishte përshkruar si “një nga më të mëdhenjtë e Premier League”.
Me Conten, ai e ka nisur fort: dy gola dhe 240 minuta të luajtura në tri ndeshjet e para.
Napoli mbërrin në Angli me moral të lartë. Me tri fitore në kampionat dhe vetëm një gol të pësuar (kundër Fiorentinës në fundin e takimit), skuadra ka treguar stabilitet.
Në sulm, Rasmus Højlund ka dhënë sinjale të qarta, duke shënuar ndaj “violas” dhe tani kërkon golin e parë personal ndaj City-t, rival që nuk e ka mposhtur asnjëherë gjatë eksperiencës në Premier.
Sfida do të ketë vlerë të dyfishtë edhe për Conten, i cili kërkon të thyejë tabutë e tij europiane.
Në 42 ndeshje të drejtuara në Champions, bilanci i tij është 15 fitore, 14 barazime dhe 13 humbje, pa arritur kurrë më larg se çerekfinalet.
Për Napolin, nisja e mbarë është thelbësore për të shuar “mallkimin” e së kaluarës dhe për të synuar lart në një grup ku rreziqet nuk mungojnë.
