Inovatori Luis Enrique, edhe Napoli duhet të ketë kujdes nga surprizat e trajnerit të PSG-së
Luis Enrique vazhdon të tregojë se është një trajner jashtë skemave tradicionale. Në fitoren e Paris Saint-Germain ndaj Lens me rezultatin 2-0, tekniku spanjoll aplikoi një ide të pazakontë: pjesën e parë e ndoqi nga tribuna, ndërsa në të dytën zbriti në pankinë për të drejtuar skuadrën nga afër.
Pas ndeshjes, Enrique shpjegoi arsyet e këtij eksperimenti.
“Prej vitesh kam parë trajnerë të regbisë që ndjekin lojën nga lart. Është një perspektivë fantastike, më lejon të kontrolloj gjithçka.
Nga tribuna grumbullon shumë informacione dhe në pushim mund t’ua përcjell me qartësi lojtarëve”, – u shpreh ai, duke theksuar se kjo nuk ishte një zgjedhje spontane, por pjesë e një filozofie të menduar mirë.
Nuk përjashtohet që të njëjtin stil ta përdorë edhe të mërkurën, në sfidën e Champions League, kundër Atalantës, pasi vetë spanjolli e cilësoi këtë metodë si një opsion interesant për të ardhmen.
Ky inovacion nuk është i pari në karrierën e Enrique-s.
Në kohën kur drejtonte Celta Vigo-n, ai kishte bërë që t’i ndërtohej një skelë për të vëzhguar stërvitjet nga lart.
Po ashtu, gjatë eksperiencës si trajner i Spanjës, ai eksperimentoi me përdorimin e pajisjeve “ëalkie-talkie” të vendosura në shpinën e lojtarëve, në mënyrë që të mund të dëgjonin drejtpërdrejt udhëzimet e tij.
“Shpresoj vetëm të mos bërtas shumë”, kishte thënë atëherë me humor.
Luis Enrique, i njohur për shpirtin e tij pionier, vazhdon të kërkojë mënyra të reja për të përmirësuar performancën e ekipeve që drejton.
