Atentati me 2 viktima e 2 të plagosur në Shkodër, dëshmon Mustafa Lici: Banesa është e motrës, e ka dhënë me qira
Ekspertet më të mirë të policisë kriminale prej të hënës po merren me hetimin e ngjarjes së rëndë të ndodhur në qendër të Shkodrës. Policia përveç sigurimit të disa kamerave të tjera ka marrë edhe persona të tjerë në pyetje, mes tyre dhe Mustafa Licin. Ky i fundit është distancuar nga krimi i ndodhur e ndërsa shton se banesa ku u gjetën armët është e motrës së tij që është dhënë me qira
Mustafa Lici, babai i Ibrahim Licit është distancuar nga masakra e ndodhur këtë të hënë në Shkodër ku viktimë mbetën Armando Pali dhe Liridon Kraja si dhe u plagosën dy të tjerë, Erogen Vaso (Bajrovic) dhe kamarierja Meri Kaceri.
Referuar dëshmisë në policia ai ka treguar se nuk ka dijeni mbi autorin e po ashtu edhe mbi motivet.
Sqarime ka dhënë mbi disa armë dhe municione të gjetura në banesën e motrës së tij, e cila u kontrollua nga policia pas dyshimeve se përdorej si bazë armatimi nga Barush Bregu, bashkëpunëtor i dyshuar i autorit Ragip Gila.
Sipas burimeve Lici ka deklaruar se banesa është e motrës së tij që jeton jashtë vendit, por prej kohësh e ka dhënë më qira dhe nuk mban përgjegjësi për çfarë gjendej në të.
Përveç dëshmisë së Licit, policia ka marrë edhe disa të tjerë në pyetje që po ashtu nuk i kanë ndihmuar hetuesit në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Të njëjtat burime shtojnë se e gjithë ngjarja është e filmuar me kamera sigurie që nga momenti i ardhjes së autorit, kryerjes së krimit e deri tek arrestimi i tij.
Këqyrja e tyre ka nisur prej kohësh e pritet të zbulohen se kush janë personat që kanë shoqëruar autorin Ragip Gila para atentatit.
Sa i takon dy të shpallurve në kërkim të cilët dyshohet se i siguruan armatimin dhe mjete të tjera autorit, Barush alias Bajram Bregu dhe 17-vjeçari, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, në sistemin TIMS nuk rezulton të kenë dalë jashtë territorit shqiptar
Armet e gjetura në banesën që ata kishin marrë me qira po i nënshtrohen një ekspertize për të zbuluar gjurme të tjera gishtërinjsh.

