PRERJA PA KRITER E PYJEVE/ Shtohen kontrollet në territor, 20 të ndaluar në Pogradec

Me afrimin e stinës së dimrit, shtohen edhe prerje e paligjshme të lëndëve drusore që do të shërbejnë për ngrohje gjatë muajve të ftohtë të vitit.

Për të evituar prerjen pa kriter të pyjeve autoritetet kanë shtuar edhe kontrollet në zonat më të rrezikuara.

Kledi Lufo, përgjegjës i Drejtorisë Pyjore në Pogradec, thotë se janë të paktën 20 kontrabandistë të ndaluar gjatë javëve të fundit.

Nga ana tjetër, drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes së Territorit në Pogradec, Markel Hafesllari, deklaroi se nuk do të ketë asnjë tolerancë.

Ai shtoi se, krahas kontrolleve në rrugët rurale, patrulla janë vendosur edhe në aksin Qukës–Qafë Plloçë, i cili përdoret nga kontrabandistët sidomos gjatë orëve të natës.

Vetëm në muajin e fundit, nga ana e pyjores në Pogradec janë sekuestruar më shumë se 330 metra sterë dru, të prera kryesisht në zonat malore të Mokrës.