Trafikuan 6 ton kokainë në BE/ Burg për vëllezërit Hoxhosmani, Ermir Ndrejaj dhe Plarent Dervishajn

Apeli i Gjykatës së Posacme konfirmoi masat arrest me burg për katër të arrestuar të SPAK, me dyshimin se janë pjesë e një grupi që trafikoi gati 6 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt Vendeve të BE. Sipas hetimit, kokaina kapte një vlerë prehj mbi 414 milion eurosh në tregun e zi të narkotikëve

Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në fuqi masën e arrestit me burg për vëllezërit Artur dhe Klevis Hoxhosmani, si dhe për Ermir Ndrejajn e Plarent Dervishajn.

Të katërt janë të akuzuar nga SPAK si pjesë e një grupi kriminal që trafikoi mbi 6 tonë drogë me vlerë rreth 411 milionë euro, nga Amerika Latine drejt Europës.

Hetimet zbuluan se grupi vepronte në vitet 2020–2021, duke trafikuar kokainë dhe hashash nga Kolumbia e Ekuadori drejt vendeve të BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Droga fshihej në konteinerë, mes paletave të drurit, kutive me banane apo thasëve me kakao.

Gjatë kësaj periudhe u dokumentuan dhjetëra episode trafikimi dhe sekuestrimi, me sasinë totale që kapte mbi 6 tonë. Shumica e drejtuesve jetonin në Europë dhe komunikonin përmes aplikacionit të koduar “Sky ECC”.

Pas zbërthimit të tij u zbuluan detaje të aktivitetit kriminal.

Operacioni çoi në sekuestrimin e 43,470 eurove, 5,000 frangave zvicerane, tre makinave (njëra Mercedes Benz AMG G63), një skafi luksoz të prodhimit 2025, si dhe disa sende me vlerë: dy orë luksi Rolex dhe Richard Mille, 16 celularë, 19 karta bankare ndërkombëtare dhe të dhëna për llogari të huaja në Dubai, Gjermani, Itali e Panama.

U gjetën gjithashtu një dron profesional, tetë hard disqe dhe pajisje të tjera elektronike. Në banesën e Artur Hoxhosmanit policia sekuestroi edhe tre pistoleta pa leje.